Kanë kaluar disa muaj që nga ndërtimi i murit që ndan qytetarët e jugut dhe ata të veriut në Mitrovicë. Përpos deklaratave të shumta institucionale për rrënimin e këtij muri, nuk është vepruar asgjë tjetër.
Kurse në bazë të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës, sot përfundon afati kohor për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës.
Madje, ishte edhe vetë ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri e cila pati deklaruar se muri i ndërtuar në Mitrovicë “nën dirigjimet e Serbisë” do të rrënohet gjatë muajit janar.
Sipas saj, vendimi për rrënimin e tij bazohet në ligjet e Kosovës të cilat nuk lejojnë kufizimin e lirisë së lëvizjes.
E kontaktuar nga “Indeksonline”, zyrtarja ekzekutive në komunën e Mitrovicës Veriore, Adriana Hoxhiq ka theksuar se nuk ka asnjë informatë të re lidhur me murin në Mitrovicë.
Sipas saj e vetmja gjë që mund të theksohet është se muri është i ndërtuar me projektim të ndërtimit të shëtitores.
“Nuk e di për besë nuk kam kurrfarë informate vetëm mund të ju konfirmojë që muri i ndërtuar me projektin të ndërtimit të shëtitores nuk ka të bëjë asgjë me komunën e Mitrovicës kështu që komuna nuk do të merr asnjë hap tjetër për këtë projekt sepse është projekt për të cilin është ndërmarrë vendim në nivelin politik”, ka thënë Hoxhiq, raporton Indeksonline.
Hoxhiq është shprehur gjithashtu se nuk e di se çfarë marrëveshje është arritur pas takimeve që janë mbajtur nga palët e të dy shteteve.
“Nuk e di se çfarë marrëveshje është arritur pas atyre takimeve që janë mbajtur nga zyrtarët e Qeverisë sonë, Bashkimit Evropian dhe Kryetarit Goran Rakiq,ka shtuar Hoxhiq.