Nga Kim Mehmeti
Te disa ‘kalemxhinj’ dhe qarqe mediatike shqiptare – kryesisht në Prishtinë – mbisundon mendësi e përafërt me atë ortodokse- serbe antishqiptare e cila mendësi, duke mos mundur te përballet me të sotmen mjerane, merret me rreziqet fetare që i kanosen shqiptarisë.
Pra disa koka të shkolluara, por analfabete, koka që nuk lexojnë asgjë ngaqë i dinë të gjitha, që përpos llafeve nuk kanë investuar asgjë tjetër që shqiptaria të forcohet me shqiptari, sa here që nuk kanë me çka të merren, i nxjerrin mburojat e krishterimit Perëndimorë dhe na mbrojnë nga ndikimi i Lindjes së ‘prapambetur’.
Dhe arrogance e egërsia me të cilën na mbrojnë nga ndikimi islam e lindor, më së miri tregon sa janë të cekët, sipërfaqësorë dhe sa nuk e dinë më elementaren: se nuk ka fe ‘autoktone’ evropiane dhe se, të gjitha fetë janë me ‘origjinë’ lindore.
Vetëm nëse do lexonin më shumë për të shkuarën e kontinentit tonë, si për shembull, për dëbimin e arabëve e hebrenjve nga Spanja në vitin 1492, ata do e kuptonin se feja islame është poaq – nëse jo edhe më shumë – perëndimore se krishterimi.
Siç do e kuptonin se Evropa e civilizuar nuk merret me ngarkesat e injorantëve tanë ‘mendjendritur’ –me peshimin e asaj se pjesëtarët e cilës fe i kanë sjellë më shumë të këqija – por me kultivimin dhe vjeljen e vlerave që islami e krishterimi i kanë rrënjosur në tokën e saj.
Po, disa ‘intelektualë’ tanë të përmasave madhore, njësoj si edhe ‘patriotët’ serb që vazhdojnë ta vajtojnë e të jetojnë në kohën e Betejës së Kosovës, porsa i përballë me injorancën e tyre, thirren dhe strehohen në shekullin e betejave të Skënderbeut!
Dhe të gjithë së bashku – shumë serbë e shqiptarë – janë vetëshpallur në gardianë të Perëndimit dhe e mbrojnë atë nga e keqja që ia sjellin myslimanët e Ballkanit. Në ndërkohë, duke mos e parë se janë bërë mbrojtës të pathyeshëm të përçarjes brenda shqiptare dhe të mjerimit tonë ballkanik.
Duke mos e vërejtur pra se ajo që neve ballkanasve nuk na lejon të jetojmë në paqe me vetveten dhe me të tjerët, është pasioni ynë që t’i vazhdojmë betejat kundër perandorive të vdekura dhe të merremi me ‘rindërtimin ‘ e të kaluarës tonë të largët. (Kim Mehmeti)/sakte.net