Është herët për të thënë se si do të përfundojë dhe çfarë do të jetë karakteri i takimit, i tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti BBC-së në gjuhën serbe, në lidhje me takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë.
Referuar vendimeve të reja të qeverisë kosovare, Kurti tha se nuk brengoset rreth asaj se si shihet në terma të vendimmarrjes së pavarur, pasi që “Kosova është shumë më e pavarur se Serbia” dhe se “Serbia është shumë më shumë e varur nga Rusia”.
Takimi do të duhej të ndodhte me 19 korrik, rikujtoi ai, “por Presidenti i Serbisë kërkoi shtyrje njëmuajshe”, përcjell “Reporteri.net”
Në lidhje me rolin e Bashkimit Evropian si fascilitues të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti tha se ata “do të mund të ishin më aktiv e më të qartë”.
Pyetur nga BBC nëse takimi i 18 gushtit në Bruksel “mund të jetë historik?”, Kurti nuk ka përgjigje për këtë.
“Bisedimet po ndodhin në dy traka, e para është takimi mes liderëve ku do të jenë dy pika: elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes dhe çështjet e tashme, dhe besoj se do të ndjekim këtë rend”.
“Këto dy pika janë shumë të përgjithshme, por mendoj se do të hyjmë në tema më të tëhollësuara gjersa bisedimet shpalosen”, ka thënë Kurti.
Në lidhje me çështjen e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, kryeministri tha se pala kosovare i kreu obligimet e saj “për dy ditë” derisa Beogradi “nuk e bëri as për tetë javë”, transmeton “Reporteri.net”
Kryeministri i tha BBC-së se “mbase mund të jem negociator i vështirë, por për çfarë pajtohem edhe e përmbush”.
Me vërejtjen se edhe Christopher Hill, ambasadori amerikan në Beograd, kërkoi të fliste për Asociacionin, Kurti fillimisht tha se Hillin e njeh prej 24 vitesh për shkak të përvojës së pasur të diplomatit amerikan, i cili ka qenë i përfshirë në çështjet e marrëdhënieve ballkanike prej shumë vitesh.
“Hill është një ndërmjetës i heshtur midis Serbisë dhe Kosovës, kështu që ai nuk do të thoshte diçka të tillë përpara se Beogradi ta kërkonte më parë.”
“Është interesante që serbët nga Kosova nuk po e kërkojnë sepse thonë se kanë nevojë për vende pune, drejtësi, ekonomi më të mirë dhe më e rëndësishmja, luftë kundër korrupsionit”.
Në lidhje me BE-në, Kurti paraqiti disa dilema të tij.
“Ne kemi të drejtë të presim më shumë nga BE, veçanërisht qartësi dhe qëndrueshmëri rreth pozicioneve të saj, dhe edhe më veçanërisht kur jemi te ngarjet si ato të barrikadave dhe incidenteve”.
Referuar tensioneve të fundit në Veri rreth masave të reja, Kurti tha se “ka pasur mungesë të inteligjencës në shumë institucione” dhe atë “jo vetëm në vendin tonë”.
“Agresiviteti i Serbisë kundër Kosovës dhe dëshira e Beogradit për të na befasuar u nënvlerësuan”.
Fushata frikësuese e Beogradit ndaj masave të reja të qeverisë kosovare, Kurti tha se “kishte shumë më shumë ndikim se ç’e kishim menduar”.
“Nuk jam i interesuar rreth asaj se si të tjerët më shohin në terma të vendimeve të pavarura, sepse besoj që Kosova është shumë më e pavarur se Serbia – Serbia varet shumë më shumë nga Rusia”, tha Kurti për BBC / Reporteri.net