Kongresi ShBA-së miratoi Ligjin për autorizim të mbrojtjes kombëtare, në të cilin është përfshirë edhe një amendament për Maqedoninë e Veriut, raporton “Zëri i Amerikës”. Ky është ligj federal me të cilin ShBA-të përcaktojnë buxhetin dhe shpenzimet vjetore të Pentagonit dhe sipas amendamentit, siç thuhet në të, Kongresi udhëzon sekretarin e mbrojtjes, në konsultim me komandantin e Komandës evropiane të ShBA-së, t’ia paraqesë Komitetit të forcave të armatosura në Dhomën e përfaqësuesve, më së voni deri në 1 dhjetor 2022, brifingun në lidhje me planet për stërvitje shtesë të NATO-s ose të përbashkëta SHBA-Maqedonia e Veriut gjatë vitit fiskal 2023, transmeton Portalb.mk.
“Komiteti mbështet fuqimisht rolin integral të Maqedonisë së Veriut si aleat i NATO-s dhe thekson vlerën e stërvitjes Përgjigje e shpejtë 22 të NATO-s në Maqedoninë e Veriut për ndërveprueshmërinë e NATO-s, integrimin rajonal dhe parandalimin kundër agresionit rus”, thuhet në ligj.