“Lojë e rrezikshme në Ballkan”, skenarët se çka do të ndodhë me 1 shtator në veriun e Kosovës

Liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të jenë duke kontribuar në rritjen e tensioneve, për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.

Kështu mendon, Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni.

Marushiq ka komentuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 18 gusht, që nuk prodhuan rezultat. Ai tha se nuk ka shpresa që së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale.

Sipas tij, diplomacia që inkurajon tensione, është një lojë e rrezikshme në një situatë me tensione në veri të Kosovës.

Disa ditë para se të zbatohen vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, Mashuriq nuk pret ndonjë konflikt të zgjeruar, por thotë se nuk përjashtohen skenarët e dhunshëm.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar një rund të bisedimeve më 18 gusht. Bisedimet kanë qenë pa rezultat. Çfarë mendoni se do të thotë kjo për progresin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Damir Marushiq: Në njërën anë, me të vërtetë duket se jemi në një ngërç serioz, ku është vështirë të shihet kur do të arrihet rezultat. Por në të njëjtën kohë, ka të bëjë me diplomacinë. Unë mendoj që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti është duke shtyrë këtë linjë, që në parim duhet të theksohen kundërshtimet, para se të arrihet ndonjë rezultat. Roli i diplomacisë është të merren situata të tilla dhe të jenë kreativë me to. Patjetër, ajo çfarë është e nevojshme për këtë është një vullnet i mirë, nga të dyja anët, dhe nuk e kemi parë këtë.

Megjithatë, një nga gjërat e rëndësishme këtu është që lehtësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, dhe partnerët perëndimorë në përgjithësi, të luajnë po ashtu një rol proaktiv dhe kreativ për të arritur një zgjidhje për këtë situatë. Rreziku është i lartë, ky dialog është shumë i rëndësishëm për të arritur çfarëdo zgjidhje të qëndrueshme për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të them se kam shpresa [ për zgjidhje], por mund të them se nuk jam edhe i pashpresë në këtë pikë.

Më 18 gusht, kemi parë se lehtësuesit e dialogut hynë me shpresa në bisedime, por palët pas përfundimit të bisedimeve hezitonin edhe të flisnin. A mendoni se ka pasur përgatitje të mjaftueshme për bisedimet, a është edhe kjo ndonjë lojë diplomatike para 1 shtatorit?

Damir Marushiq: Në fakt jam i zhgënjyer që nuk ka pasur më shumë përgatitje. Më duket se duke hyrë në bisedime, pozicionet publike të të dyja anëve kanë qenë mjaft jofleksibile, që tregonin se ishim në drejtim të rezultatit që morëm. Por, prapëseprapë, nganjëherë magjia ndodh në dhomë.

Ndoshta kjo ishte shpresa, se nëse i vendosin ata (kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin) në një dhomë, duke pasur parasysh tensionet e rritura dhe afrimin e datës për hyrjen në fuqi të masave reciproke, kjo do të koncentronte mendjet në dhomë, dhe do të arrihej një rezultat. Është e rëndësishme të rikujtohet se derisa prapavija për këtë takim ishte kriza e fundit, sa e di unë, ky takim ishte caktuar për më herët, por pastaj Serbia kishte kërkuar shtyrjen e tij.

Dhe në një mënyrë, ky ishte një dialog i planifikuar dhe nga çfarë kam lexuar, Kurti e ka trajtuar si të tillë. Ai dëshironte të bisedonte për çështjet siç ishin planifikuar për t’u biseduar me krizën vetëm në prapavijë. Unë besoj që kjo është një taktikë negociuese nga ana e Kosovës. Nëse do të jetë e suksseshme nuk e di. Pyetja mbetet si gjithmonë, nëse ka ndonjë hapësirë mes Kurtit dhe Vuçiqit që mund të përdoret për një zgjidhje kreative.

Po afrohet 1 shtatori. Çfarë mendoni se janë skenarët e mundshëm për këtë ditë dhe ditët në vazhdim?

Damir Marushiq: Imagjinata ime është shumë e bllokuar në atë se çfarë mund të ndodhë. Mund të kemi një përsëritje të vendosjes së barrikadave në veri. Nëse shkon në atë formë, do të shohim anën e Serbisë që thotë se ky është një reagim lokal dhe i pakontrollueshëm ndaj ndjenjës së kërcënimit që e kanë serbët lokalë. Shumë nga raportimet që kam parë megjithatë thonë se Serbia ishte shumë e përfshirë në kordinimin e krizës së kaluar, kshtu që kredibiliteti i një deklarate të tillë vihet në pikëpyetje.

Problemi është se nëse ka bllokada dhe barrikada, problemi për Perëndimin do të jetë si të kthehet rendi, veçanërisht nëse vetë Serbia nuk intervenon. Kjo pastaj bëhet një lojë e pritjes, dhe nëse kokat e ftohta dominojnë në Kosovë, do të ketë një proces të gjatë negociimi në ditët pas 1 shtatorit. Ndoshta ngadalë do të kthehet në një situatë të “normalitetit në tension”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme