VMRO-DPMNE në një reagim mëngjesin e sotëm thotë se kryeministri Dimitar Kovaçevski duhet të japë dorëheqjen dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se me zgjedhjet e djeshme në Tetovë, është delegjitimuar pushteti aktual.
“Fitore e dyfishtë në Tetovë, Kovaçevski të jep dorëheqje, zgjedhje të parakohshme menjëherë. VMRO-DPMNE e mposhti LSDM-në, ndërsa BESA e mposhti BDI-në në Tetovë. Koalicioni qeverisës nuk ka legjitimitet për të vazhduar drejtimin e vendit. Populli tha qartë se LSDM dhe BDI janë të kaluara. Presim që Kovaçevski ta pranojë humbjen dhe të japë dorëheqjen menjëherë. Zgjidhje janë vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thonë nga VMRO-DPMNE.