“Programi 200”, një nga programet e rëndësishme të televizionit Alsat, filloi sot sezonin e 11-të.
Risia e tij është se veç autorit dhe gazetarit të deritanishëm, Nazim Rashidit, pjesë e tij do jetë edhe gazetarja dhe redaktorja e këtij televizioni Semra Musai.
Rashidi thotë se “Programi 200” do vazhdojë të jetë vend i ideve dhe “në linjë të avangardës dhe progresit që ka tentuar të sjellë “Programi 200” por edhe në linjë të dinamikave të reja dhe risive të televizionit emisionit i bashkohet edhe kolegia Semra Musai”, tha Rashidi.
Musai thotë se “programi do vazhdojë të jetë vend i intervistave, debateve dhe çështjeve ekskluzive por dhe që janë në interes të qytetarëve”.
“Programi 200” filloi në vitin 2012, si një emision që kishte në fokus 100 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë. Më pas ai u vu në fokus të zhvillimeve jo vetëm politike por edhe sociale e kulturore. Ky do jetë viti i 11 që atë do ta drejtojë Nazim Rashidi dhe viti i parë për Semra Musain.
“Programi 200” transmetohet çdo të martë në ora 22:00./Alsat.mk
Studio e “Programi 200” në vitin 2012 dhe në foton poshtë viti 2022