Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një intervistë ekskluzive për emisionin Balkan Talks, në Euronews Albania akuzon ish-kryeministrin Dritan Abazoviq, si manipulues politik.
Gjukanoviq hedh poshtë pretendimet e Abazoviqit se po diskriminohet për faktin se është shqiptar, teksa i kujton se iu dha mundësia të bëhej kryeministër në një shtet multietnik si Mali i Zi.
“Abazoviq është një manipulues jo i suksesshëm, në një vend multietnik si Mali i Zi atij ju dha mundësia të bëhet kryeministër. Është shqiptar etnik, po lider i një partie që ka tre deputetë në parlament nga 81 në total ndaj kjo nuk përputhet me pretendimit të tij se diskriminohet se është shqiptar etnik”, thotë ai.
I pari i shtetit malazez deklaron se Mali i Zi nuk do të jetë pjesë e nismës Open Balkan ndërsa thekson se do të mbështesë vetëm procesin e Berlinit për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Pavarësisht çfarë thotë Vuçiç dhe Rama, unë e perceptoj këtë si alternativë ndaj procesit të Berlinit dhe qëndrimi i partnerëve tanë perëndimore perceptohet nga unë ashtu si pritej. Është pothuajse e e pritshme mbështetja për çdo alternativë rajonale pa u thelluar. Pra, kushdo që mbështet Ballkanin e Hapur dhe çdo iniciativë rajonale e vlerësoj. Por kjo nuk më çliron nga përgjegjësia që t’i them Malit të Zi publikisht atë që është më e mira për vendin tonë; mendoj se anëtarësimi në BE është zgjidhja më e mirë dhe nëse e duam këtë gjë, mendoj se procesi i Berlinit do na çojë drejt integrimit evropian”, shprehet ai.
Abazoviq, i cili u shkarkua muaj më parë prej postit të kryeministrit malazez, ka theksuar disa herë se Mali i Zi duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, iniciues të cilit janë Shqipëria dhe Serbia.
Ndryshe, Kosova, Bosnja-Hercegovina dhe Mali i Zi deri më tani kanë refuzuar kategorikisht që të jenë pjesë e kësaj nisme rajonale.