Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, njoftoi të mërkurën se për shkak të një trajtimi mjekësor që i duhet të kryejë, ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetes.
“Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit”, tha Krasniqi.
Ajo theksoi se së shpejti do të shihen të arriturat e para, derisa potencoi se ka besim te njerëzit vullnetmirë “që kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë të triumfojë”.
“Gjithsesi më lejoni të falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje për besimin, hapësirën, mbështetjen dhe qasjen ndaj meje, falënderim i veçantë për kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Albin Kurti i cili vërtet ka treguar se është i gatshëm dhe i vendosur që çështjen e krimeve të luftës ta trajtojë seriozisht. Nuk duhet harruar as të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilët vërtet treguan se përtej dallimeve politike dhe politikave ditore mund të mbizotërojë njerëzorja tek secili prej nesh”, tha ajo.
Vasfije Krasniqi në zgjedhjet e 2021-s i mori 60.879 vota.