Hakerat iranianë e sulmuan sistemin shqiptar tri here brenda kësaj vere duke shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm dhe duke rrezikuar sigurinë kombëtare.
Për emisionin “Vetting” ekspertët folën për agresion në rritje, të paktën të sulmeve kibernetike pa përjashtuar përpjekje të tjera nga qeveria iraniane.
Sipas ekspertit të kriminalistikës, Ervin Karamuço kjo është një luftë, por ndryshe nga luftrat me të cilat jemi mësuar deri më tani.
“Kjo është luftë, një luftë e pashpallur, një luftë jo konvencionale, nuk do ti shikojmë kurrë ushtarët iranianë në llogore pranë nesh, ose përballë me ne ekran, do ti shikojmë në sistemet tona të dobëta, do ti shikojmë në dëmet që po na shkaktojnë nga dita në ditë”, thekson Karamuço.
Ekspert i rrjeteve kompjuterike, Erion Demiri: “Nëse do të ketë sulme të tjera sulme kibernetike do të ketë gjithmonë dhe do të vijnë duke u rritur. Kjo nuk ka të bëjë me këto sisteme specifike, kjo ka të bëjë me faktin që ne po shkojmë drejt një dixhitalizimi gjithmonë edhe më të madh, duke shkuar drejt një dixhitalizimi penetrimi i dixhitalizimit në jetët tona automatikisht kuptohet dhe rritja ka ndodhur në gjithë botën, statistikat tregojnë vetëm rritje të sulmeve kibernetike, është një problematikë e vogël që po rriten ato që quhen sulme kibernetike më inteligjente”.