Prokuroria e Durrësit, ka goditur një grup kriminal, ku të paktën 15 persona dyshohen të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale si vrasje dhe shitblerje armësh.
Grupi u godit pas marrjes peng të dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Durrës-Tiranë.
Dy vëllezër të identifikuar si Gentian dhe Indrit Beqiraj, me precedentë të mëparshëm penalë, kanë qenë duke udhëtuar me një motor kur një automjet i ka goditur nga pas. Pas këtij momenti, katër persona kanë dalë nga mjeti dhe kanë dhunuar vëllezërit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e organizuar.
Pas konfliktit fizik midis tyre, njëri prej vëllezërve, Indrit Beqiraj, është futur me forcë në automjetin me të cilën erdhën katër të dyshuarit. Ai është dhunuar edhe brenda mjetit dhe pas rreth 500 metrash është lënë i lirë. Pas këtij momenti, njëri nga vëllezërit i është drejtuar Policisë së Durrësit, ku ka bërë denoncim për ngjarjen.
Pas ngjarjes së rëndë, Policia shpalli në kërkim një nga autorët e dyshuar të ngjarjes. Mësohet se është shpallur në kërkim shtetasi Agron Bejdolli, një nga personat e përfshirë në ngjarjes. Ka qenë Policia e Durrësit ajo që e ka shpallur në kërkim Bejdollin, i cili rezulton të ketë lidhje të ngushta me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi ose Rrumi, një nga personat e përfshirë në ngjarje kriminale në zonën e Shijakut.
© SYRI.net