Gazetare: Evi Shkopi
Varfëria energjetike do të shkaktojë ndotje më të madhe të ajrit, sepse qytetarët do të kenë parësore mbrojtjen nga i ftohti, pa menduar gjatë për rrezikun që i shkaktojnë shëndetit të tyre dhe të tjerëve. Institucionet apelojnë vazhdimisht, por duket se me çmimet jashtëzakonisht të larta të lëndëve për ngrohje, mbetet në dorë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur. Çfarëdo lëndë që të blini për ngrohje, qytetarët duhet që gjithmonë të kërkojnë faturën, sepse në këtë mënyrë do mbrohen nga abuzimet me çmimet, siç është rasti me çmimin e druve. Por kur jemi te drutë, një hulumtim ka treguar se përdorja e shporeteve të vjetër me dru ka bërë që ajri brenda objekteve të banimit të jetë shumë i ndotur.
“Ajri brenda shtëpive që kanë përdorur shportë të vjetër për ngrohje me dru, ishte disa herë më I ndotur se ajri jashtë shtëpisë. Edhe pse Shkupi pothuajse gjatë gjithë sezonit është i ndotur. Për fat të keq në shtëpitë ku janë përdorur shporetë të vjetër për ngrohje me dru, që nuk janë mirë të izoluar, nuk kanë efikasitet, ndotja është shumë më e lartë. Kur ndryshuan mënyrën e ngrohje, ndotja u ul për dhjetëra herë”, tha Dejan Mirakovski- prof.dr “Goce Dellçev”- Shtip.
Sipas Mirakovskit, ngrohja me dru shkakton ndotje, por ajo që është shumë herë më e rrezikshme është ngrohja me dru të trajtuar me kimikate, si mbetjet nga mobiliet, për të mos folur se sa e dëmshme është ndotja në raste kur për ngrohje përdoren goma apo materiale plastike.
“Djegia e mbetjeve, veçanërisht e atyre materialeve që janë trajtuar me kimikate të ndryshme për përmirësim të cilësisë apo për pamje më të mirë, siç janë mbetjet nga mobiliet, është shumë e rrezikshme. Është e rrezikshme edhe në kushte të kontrolluara dhe jo më djegia e tyre në vatra në kushte shtëpie. Mund të emetojë substanca të cilat janë jashtëzakonisht të rrezikshme edhe në hapësirat e brendshme, por edhe jashtë ku të gjithë ne lëvizim. Kështu që djegia e materialeve të tilla nuk rekomandohet as në kohët kur çmimet e lëndëve të tjera djegëse janë jashtëzakonisht të larta”, shtoi ai.
Laboratori Qendror i Mjedisit Jetësorë nuk do të jetë i gatshëm as këtë dimër për të monitoruar cilësinë e ajrit që thithim. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se laboratori është në pritje të punësimeve të reja për të akredituar metodat e ndjekjes së cilësisë së ajrit. Tani për tani, sipas këtij dikasteri, është blerë një instrument për matjen e shkarkimeve në burime stacionare dhe për të është trajnuar një operator, por për akreditimin e metodave nevojiten tre operatorë. Pasi të kemi punësimin e ekspertëve të rinj, planifikojnë të kenë disa metoda për akreditimin e ajrit./Alsat.mk