Gazetar: Lluka Andreev
Sonte do të finalizohen masat antikrizë për rastet sociale. Kryeministri Kovaçevski pret që ato të publikohen në fillim të javës së ardhshme. Sipas informacioneve të Alsat, kjo paketë masash do të përfshijë kupona ushqimore, kupona për energji elektrike, transport falas etj.
“Edhe sot ekipet ekonomike po punojnë për konceptimin e këtyre masave dhe mendoj se deri të hënën do të kemi masa që mund të shpallen për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, sepse është koha e solidaritetit, është koha kur ne duhet të ndihmojmë të gjithë për t’a tejkaluar së bashku këtë krizë në të cilën jemi jo vetëm ne, por i gjithë kontinenti evropian”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Lidhur me ndihmën për kompanitë që furnizohen me energji elektrike në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, Kovaçevski thotë se është duke u përgatitur edhe një paketë masash, por ajo do të shpallet vetëm në fund të këtij muaji. Në këshillin e fundit ekonomik, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Odës Ekonomike, u bë e ditur se Qeveria do të shpallë të mërkurën se cilat nga kërkesat e kompanive dhe sindikatave do të pranohen.
“Ajo që po përgatitet aktualisht është një paketë masash që duhet të finalizohen deri në fund të këtij muaji, duke marrë parasysh karakteristikat e ndryshme të industrive, sepse kemi industri që prodhojnë produkte ushqimore bazë, që prodhojnë produkte dhe shërbime të tjera që janë të nevojshme për jetën e përditshme të qytetarëve, dhe bazuar në mundësitë buxhetore që kemi si shtet, sepse jo çdo vend ka mundësi të pakufizuara në kuadër të politikës fiskale për të ofruar mbështetje financiare për kompanitë e industrive të caktuara që janë në tregun e liberalizuar”, shtoi ai.
Ndërkohë që priten masat nga Qeveria, dje Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se norma e inflacionit ka arritur në 18.7 për qind – rritja më e madhe e çmimit është tek buka, produktet e qumështit, sheqeri, transporti e të tjera./Alsat.mk