Gazetar: Mefail Ismaili
Qeveria ende nuk mund t’i grumbullojë të dhënat në detaje për shpenzimin e 400 mijë eurove në Beograd gjatë panairit të Verës i cili u mbajt në suaza të “Ballkanit të Hapur”.
E pyetur nga Alsat, se kur Qeveria do të bëjë publike shpenzimet e këtyre të hollave për të qenë transparente para qytetarëve, zv/kryeministrja Sllavica Gërkovska, tha se pret analizën përfundimtare nga sekretariati i përgjithshëm Qeverisë.
Ajo premtoi se në afat sa më të shpejt do t’i publikojë të gjitha të dhënat.
“Kam dërguar kërkesë deri tek Sekretariati i Përgjithshëm dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm pres që të marr analizë të detajuar. Po lë një afat të arsyeshëm që kjo të ndodhë, nëse nuk ndodh do të ndikojë përsëri që kjo të ndodhë më shpejtë”, tha Sllavica Gërkovska, zv/kryeministre.
Gazetari: Sa është ky afat i arsyeshëm, sepse për dikë mund të jetë një muaj, një vit?
Sllavica Gërkovska, zv/kryeministre: Jo nuk është ai afat i arsyeshëm, por javën e ardhshme do të pyes ku është statusi, në bazë të informacionit që do e marr do të vendos si më tej.
Dy javë më parë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, premtoi se shumë shpejtë do ua dorëzojë mediave të gjitha detajet për shpenzimin e 400 mijë eurove në Beograd, por deri më tani nuk ka asnjë informatë nga kabineti i tij
“Të gjitha faturat prej kur do të procedohen, ata do të jenë pjesë sistemit “Financat e hapura” dhe çdo kush mund ti shohë… Ja unë do të pyes tek thesari dhe do të vini ti shohim”, kishte thënë Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Në fillim të muajit shtator, Qeveria shpenzoi rreth 400 mijë euro për të marrë pjesë në panairin e Verës në Beograd, i cili organizohej në suaza të “Ballkanit të Hapur”. Nga këto shpenzime, Qeveria ndau më shumë se 70 mijë euro vetëm për organizimin e një mbrëmje maqedonase.
Në panairin e verës morën pjesë numër i madh i funksionarëve të Qeverisë si dhe vet kryeministri Kovaçevski. Por për më shumë se një muaj e gjysmë, nga Qeveria hezitojnë të publikojnë të dhënat detaje se për çfarë arsye janë shpenzuar gjithë ata para të buxhetit./ Alsat.mk