Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Armend Muja përmes një konference për media u deklaruan për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE) për vitin 2022.
Fitore Pacolli tha se raporti është më i miri që nga viti 2018 kur ka nisur të vlerësohet puna e institucioneve të Kosovës nga ky organ i BE-së.
Sipas Pacolli ky është raporti i parë ku nuk raportohet për ndërhyrje politike në transmetuesin publik dhe në agjencitë e pavarura.
“Dhe ndikim politik në sistemin e drejtësisë, administratës publike, në agjencitë e pavarura dhe në transmetuesin publik. Raportohen zero ndërhyrje politike”, tha ajo.
“Kemi përfunduar rregulloren e Kuvendit, e cila nuk është ndryshuar që nga viti 2011 dhe kemi filluar reformën zgjedhore”, tregoi Pacolli.
Ndërsa, deputeti i LVV-së Armend Muja tha se në këtë raport nuk adresohen ndërhyrje politike.
“Në Kosovë janë kaluar disa ligje të rëndësishme sa i përket asaj që ne i kemi thënë ç’kapja e shtetit. Në raport nuk adresohet ndërhyrje politike tek kapja e shtetit, apo ndonjë qasje klienteliste përmes adoptimit…..Kjo mund të jetë hera e parë. Një tjetër që i adresohet është dhe RTK-ja, mënyra se si është adresuar, shkarkimi i bordit të RTK-së. E dyta kalimi i ligjeve të tjera të rëndësishme që në vitet e fundit nuk kanë mundur të kalohen. Në vitin 2008 janë kaluar 58 ligje, ndërsa gjatë këtij viti janë kaluar 87 ligje”, deklaroi Muja.
Muja tha se në këtë raport nuk evidentohen edhe sjelljet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë e Kosovës.
“Gjatë kohës që mbulon ky raport, ka pas ngritje të avionëve në kufijtë e Kosovës, ka pas kërcënime të vazhdueshme ndaj sigurisë së vendit tonë, ka pas një sjellje apo bashkëpunim mes Serbisë dhe Rusisë e cila nuk evidentohet në këtë raport.”, deklaroi Muja./21Media