Protestojnë shoferët e transportit publik, kërkojnë pagat nga Qyteti i Shkupit

Gazetare: Evi Shkopi

Të punësuarit e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik dhanë ultimatumin e tyre. Nëse edhe sot nuk i marrin pagat nga nesër në 4 e 30 në mëngjes dalin në protestë me familjarët e tyre dhe asnjë autobus nuk do të jetë në qarkullim. Tre sindikata protestën e realizuan para zyrave qendrore të NQP. Barku dhe frigoriferët e tyre janë bosh, ndërsa tani për shkak të vonesave nuk kanë shlyer as këstet e kredive dhe bankat u lajmërohet vazhdimisht.

“Të gjithë jemi të uritur. Nuk realizojmë dot detyrimet tona. Për periudhën e inflacionit dhe recesionit, të punësuarit në NQP më nuk do të ulen të bisedojnë për rroga. Afati ligjor për rrogën është data 15. Nëse kalon kjo datë pa rrogë, asnjë autobus i NQP nuk del në terren”, tha Miqo Stojanovski- kryetar i NQP në Lidhjen e Sindikatave.

“I shini këta njerëz pas nesh. Të gjithë janë punëtorë, a shihni ndonjë ministër ose ndonjë drejtor, asnjëri nuk jemi pispillosur. Përmbaruesit u kanë hipur në qafe sepse nuk kanë paguar detyrimet. Fëmijët çdo ditë me të drejtë na kërkojnë para të mund të blejnë diçka për të ngrënë. Apeloj deri tek kryetarja e Qytetit të Shkupit, të mos e gënjejë mendja se pa dhënë rroga sot, nesër ndonjë autobus do të dalë në terren”, theksoi Dojçin Cvetanovski- kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura.

Një orë më vonë para Qeverisë u parkuan disa autobus të NQP. Në krye të protestës ishin drejtori i kësaj ndërmarrje dhe Sekretari i Qytetit të Shkupit. Asnjëri prej tyre nuk beson se punëtorët do të hidhen në grevë.

“Ju dje më thatë se ata janë kërcënuar për sot se gjoja nuk do të ketë transport. Sot siç mund të shohim nuk ka grevë”, tha Zoran Gligorov- sekretar i Qytetit të Shkupit.

“Do të shohim se sa serioz janë”, u shpreh Aleksandar Stojkovski- u.d drejtor i NQP.

Në mëngjes në postën elektronike të NQP arriti një e-mail me paralajmërim për bombe në një nga autobusët, ndërsa pas kontrolleve të policisë, ka rezultuar si alarm i rremë. Por kreu i Sindikatës së Pavarur të Shoferëve, Afrim Muça tha se është akuzuar nga ushtruesi i detyrës drejtor i NQP-së, Aleksandar Stojkovski, se pikërisht ai qëndron pas e-mailit ku paralajmërohej se në njërin nga autobusët ka bombë.

“Mua më fajëson se unë jam ai që qëndroj pas gjithë situatës që ndodhi sot. Më tha “bombash”. Nga nesër filloj procedurën për shpifje”, theksoi Afrim Muça – kryetar i Sindikatës së Pavarur të Shoferëve

Drejtori i NQP mohoi të ketë bërë akuza të tilla.

“Do të shohim kur të arrijë padia se për çfarë më akuzon. Unë diçka të tillë nuk e kam thënë. Nuk ka pasur akuza të tilla”, u shpreh Aleksandar Stojkovski- u.d drejtor i NQP.

Pavarësisht pretendimeve se Qeveria i detyrohet para NQP-së, nga ekzekutivi dje përmes një komunikate thanë se kësaj ndërmarrje nuk i detyrohen asgjë./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme