Gazetar: Mefail Ismaili
Sindikata e kontrollorëve të fluturimit, akuzon drejtorët e M-NAV-it se dëshirojnë të prishin procedurat për shkollimin e tetë kontrollorëve në Danimarkë, për shkak se fëmijët e dy prej drejtorëve nuk i kanë kaluar testet filtruese për t’u shkolluar si kontrollues në fluturime. Kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski thotë se drejtorët për një kohë të gjatë po e zvarrisin nënshkrimin e listës me tetë studentët më të mirë të cilët kanë kaluar testet dhe filtrat në një shkollë daneze.
“Do të thotë nga tre drejtorë dy janë që kanë fëmijët e tyre që kanë konkurruar në këtë konkurs dhe fëmijët nuk kanë arritur ta kalojnë këtë test. Kemi njohuri se fëmijë të funksionarëve po ashtu kanë konkurruar dhe kanë qenë në listën e 140-ve por edhe pse u është dhënë mundësia nuk kanë arritur të kalojnë… Ka fëmijë edhe të fëmijëve tani si kontrollues që kanë konkurruar por nuk kanë kaluar në atë procedurë të selektimit dhe tani nuk duhet të themi se ne nuk e pranojmë këtë selektim pa fëmijët tonë dhe të gjejmë arsye për ta prishur që të hyjë ndonjë fëmijë i joni ose i dikujt tjetër që nuk i plotëson kriteret”, tha Aleksandar Tasevski, Sindikata e Kontrollorëve të fluturimit 10.00
Tasevski thotë se nëse deri më 20 nëntor drejtorët nuk e bëjnë publike listën e tetë kandidatëve, rrezikojnë të gjithë procedurat për shkollimin e tyre. Pas akuzave të sindikatës me shkrim janë përgjigjur nga Këshilli drejtues i M-NAV ku thonë se pretendimet e sindikatës janë të pavërteta.
“Nuk janë gjithashtu të vërteta pretendimet se Këshilli i Drejtues ka bërë një deklaratë duke kundërshtuar përzgjedhjen e 8 kandidatëve ose se kandidatët nuk janë zgjedhja e duhur, përkundrazi procesi nuk është i thjeshtë dhe kryhet sipas plan veprimit të M-NAV. Ju sigurojmë se procesi po ecën normalisht sipas plan veprimit dhe pritet të përfundojë së shpejti brenda afatit të përcaktuar sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare në mënyrë që të fillojmë trajnimin e kandidatëve”, deklaruan nga M-NAV
Siç njoftojnë nga Sindikata e kontrollorëve të aviacionit, në Konkursin e fundit për kontrollorë janë paraqitur 270 kandidatë, por 140 e kanë kaluar fazën fillestare. Më pas të gjitha filtrat për të vazhduar shkollimin në Danimarkë e kanë kaluar vetëm 12 kandidatë prej të cilëve vetëm tetë duhet të përzgjidhen të vazhdojnë shkollimin. Përzgjedhja për kontrollorët bëhet sipas rekomandimeve të Eurocontrol, testet FEAST, kontrollet mjekësore dhe intervista. Të gjitha këto bëhen nga ekspertët danezë të cilët janë përzgjedhur me procedurë prokurimi publik nga SH.A. M-NAV. Për momentin procedura është në fazë finale të realizimit. /alsat.mk