Me rastin e betimit të 311 rekrutëve të rinj në kazermën “Adem Jashari”, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ushtria është detyrë dhe projekt madhor për Qeverinë e Kosovës.
Kurti ka përmendur edhe miratimin e projektligjit e miratuar së fundmi për fuqizimin e bazës ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor. Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës. Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se Ushtria e Kosovës po forcohet dhe zhvillohet.
“Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin”, ka shkruar tutje.
Gjithashtu, kryeministri i ka shprehur mirënjohje aleatëve për përkrahjen dhe modernizimin e FSK-së.
“U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, ka shkruar në fund ai.