Gazetare: Fatlume Dervishi
Heshtin institucionet të cilat dhanë vlerësim pozitiv për dhënien e shtetësisë oligarkut dhe ish politikat ukrainas Oleksandar Onishçenko. Alsat drejtoi pyetje në Agjencinë për Siguri Kombëtare nëpër të cilën kalojnë të gjitha aplikimet për shtetësi.
Nga atje nuk sqarojnë se si person i padëshiruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të ndikimit në zgjedhjet presidenciale, i përfshirë në rrjetin rus të ndikimit, i afërt me Moskën dhe i arratisur nga vendi i tij për shkak të dyshimeve për shpëlarje parash me vlerë prej mbi 100 milion euro, arriti të kalojë filtrat e këtij institucioni dhe të marrë vlerësim pozitiv si person me biografi të pastër dhe i denjë për shtetësi.
Pyetje dërguam edhe në Agjencinë për Rini dhe Sport. Ky institucion kishte dhënë mendim pozitiv për Onishçenkon mbi bazën e interesit të posaçëm kombëtar në sport, meqë ai tashmë përfaqëson vendin në gara ndërkombëtare në sportin me kuaj. Përveç nëse kanë qenë në dijeni për të kaluarën e tij kontroverse, Agjencinë për rini dhe sport e pyetëm nëse Onishçenko ka korrur suksesin me të cilin ky institucion do të justifikonte vlerësimin pozitiv që ka dhënë për të. As nga ky institucion nuk morëm përgjigje.
Vendimin për dhënien e shtetësisë Onishçenkos e ka marrë qeveria në maj. Përfaqësuesit e saj tani nuk mbajnë përgjegjësi.
“Bëhet fjalë për një rast i cili ka marrë vlerësime pozitive nga katër institucione relevante, në fund sillet në Qeveri dhe Qeveria ka të drejtë diskrecioni të japë ose të refuzojë shtetësinë e secilit që aplikon. Të gjitha vlerësimet nga të katër institucionet janë pozitive. Duhet t’i pyetni organet që i bëjnë këto kontrolle; Agjencia për Siguri Kombëtare, Komiteti Olimpik Maqedonas, Agjencia për Rini dhe Sport…”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
E ndërkohë kryeministri Kovaçevski paralajmëroi rishqyrtimin e rastit. Deri sa askush nuk merr përgjegjësi, opozita vlerëson se gishti duhet të drejtohet nga drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski. Ky i fundit është në përfundim të mandatit dhe para dërgimit në funksionin e ri, ambasador i vendit në Paris./Alsat.mk