Faji për shkatërrimin e dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë, mbetet jetim

Gazetar: Ardit Ramadani

Skandali me zhdukjen e dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë për rastin e djalit të kreut të Parlamentit dhe kandidatëve të tjerë që janë pajisur me certifikatë të provimit të jurisprudencës, assesi të ketë sqarime dhe përgjegjësi. Nga Arkivi Shtetëror, në kuadër të kërkimit të dokumenteve edhe atje, na thanë se ministritë zgjedhin vetë afatin e ruajtjes së dokumentacionit dhe kohëzgjatja e ruajtës së tij është përgjegjësi e tyre.

“Të gjitha institucionet, në përputhje me rregullativën ligjore, me komision e përcaktojnë afatin e ruajtjes në pjesën e veçantë të Planit të Kategorizimit Arkivor – listën e materialin arkivor dhe listën e materialit për dokumentim me afat ruajtjeje”, njoftojnë nga Arkivi Shtetëror.

Nga pyetjet e dërguara nga ALSAT në Ministrinë e Drejtësisë rreth mos ruajtjes së dokumentacionit në arkiva, përgjegjësinë për zhdukjen e tyre si dhe gjendjen aktuale për arkivim, morëm përgjigje se praktika e ministrisë së drejtuar asokohe nga Adnan Jashari ishte që ato të ruheshin vetëm 1 vit.

“Praktika e deritanishme e ruajtjes së dokumenteve ka qenë që dokumentet e kandidatëve, përkatësisht kërkesat dhe dokumente të tjera shtesë të kandidatëve për dhënien e provimit të jurisprudencës, të ruhen 1 vit”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e Barlet Xhaferit dhe gjithë skandalin që shoqëron një numër më të madh studentësh, ministri i Drejtësisë nuk pranoi të fliste para kamerës.

Megjithatë pas pyetjeve që dërguam me shkrim, Tupançevski pranoi se ka zhvilluar takim me kreun e Kuvendit Xhaferi, por sipas tij nuk është folur asnjë fjalë për djalin e tij.

“Në periudhën në vijim janë në procedurë parlamentare disa ligje të propozuara nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë drejtim, Ministri i Drejtësisë zhvillon takime, biseda, koordinime dhe konsultime me koordinatorët e grupeve parlamentare si dhe me kryetarin e Kuvendit për të përshpejtuar procesin e miratimit të ligjeve të rëndësishme për proceset integruese evropiane”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë

Antikorrupsioni vazhdon të hetojë nëse fenomeni në fjalë, sikurse ai me Barlet Xhaferin, është i përsëritur në radhë të gjyqtarëve apo prokurorëve aktualë. Nga ana tjetër, nga Ministria e Drejtësisë ende nuk e shikon të udhës të mendojë zgjidhje ligjore pas këtij rasti. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme