Drejtori i ri i ASK-së nga Departamenti që bëri lëshim në shtetësinë e Onishçenkos

Gazetar: Adrian Kerimi

Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Zare Milloshevski vjen nga sektori i cili bëri me shtetësi oligarkun pro rus Oleksander Onishçenko. Jo zyrtarisht, në dokumentet e ASK-së qëndron edhe nënshkrimi i tij si ndihmësdrejtor për verifikime sigurie dhe NATO regjistrin. Por sipas kryeministrit, Dimitar Kovaçevski zgjedhja nuk ishte e përshpejtuar edhe pse nuk u prit të mbarojë hetimi dhe të precizohet përgjegjësia.

“Gjithçka që lidhet me rastin Onishçenko do të mund të komentohet pasi të mbaron hetimi nga institucioni përkatës”.

Me këtë përgjigje, Kovaçevski la të kuptohet se ish drejtori Viktor Dimovski, gjatë mandatit të cilit Onishçenko u pajis me shtetësi, mund edhe të mos dërgohet ambasador në Francë derisa nuk mbaron hetimi. Edhe pse nuk tregoi cili është vendimi i Qeverisë, Kovaçevski tha se çështja e dërgimit të Dimovskit si ambasador në Paris varet nga Kuvendi dhe Presidenti.

“Sa i përket kompetencave të Qeverisë, procedura te ne ka mbaruar. Për më tutje, duhet të pyesni në Kuvend dhe tek Presidenti”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Në Kuvend sot u mbajt vazhdimi i mbledhjes së Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe Agjencisë së Zbulimi, por Dimovski nuk u paraqit. Në komision nuk kishte as përfaqësues të ASK-së.

“Kjo nuk do të përfundon këtu. Seanca nuk është mbyllur, pika nuk është shterur. Në periudhën e ardhshme përsëri do të kemi seancë me qëllim që të zbardhim misterin Onishçenko”, tha Ljupço Prenxhov, Kryetar i Komisionit parlamentar për punën e ASK-së dhe AZ-së.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshovski gjatë pjesëmarrjes në komisionin për punën e ASK-së ka deklaruar se pas mbarimit të procedurës në këtë trup punues dhe sigurimit të materialeve të nevojshme, do të thirr mbledhjen e Komisionit për të diskutuar mbi fatin e Dimovskit si ambasador. Vazhdimi i karrierës së tij diplomatike varet nga dy dokumente: raporti i ASK-së për shtetësinë e Onishçenkos, të cilin e ka hartuar vetë Dimovski dhe e ka referuar në Kuvend dhe Qeveri, si dhe raporti nga hetimi i MPB-së mbi lëshimet që kanë bërë strukturat e ASK-së gjatë procedimit të shtetësisë së spiunit rus. Dimovski kishte deklaruar publikisht në media se lëshimi është bërë nga sektori i NATO-s edhe se janë suspenduar dy të punësuar në ASK. Por ajo që mbetet mister për opinionin është përgjegjësia e koncentruar dhe roli i Dimovskit si filtri i fundit i cili nënshkruan vendimin dhe e dërgon për pajtueshmëri tek organi ekzekutiv. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme