Shpëtim Idrizi: Dënimi i komandant Calit, me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë, është një vendim tronditës me akuza të pabaza.
Shpëtim Idrizi: As gjykata speciale në Hagë dhe asnjë nismë tjetër e ardhur nga Beogradi nuk mund të barazojë viktimën me xhelatin.
Shpëtim Idrizi: Kosova ka qenë viktimë e një gjenocidi të kryer nga shteti serb.
“Dënimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, “Komandant Cali”, me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë, është një vendim tronditës e i pajustifikueshëm jo vetëm për akuzat e pabaza, por edhe për faktin që dënime kaq të rënda nuk janë dhënë as për gjeneralët kriminelë të Millosheviçit.
Lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë një luftë e drejtë kundër një pushtuesi, që po kryente spastrim etnik e krime të tjera të rënda kundër njerëzimit.
Kjo është arsyeja përse e gjithë bota demokratike u solidarizua me popullin e Kosovës dhe u bashkua në luftën për liri, në kuadër të sulmeve të NATO-s.
Çfarëdo përpjekje për të ndryshuar apo manipuluar historinë ka për të dështuar, prandaj edhe “Komandant Cali” është i pafajshëm, sikurse janë edhe ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së nën akuzë.
E vërteta është një dhe e pandryshueshme: Kosova ka qenë viktimë e një gjenocidi të kryer nga shteti serb.
Ndaj as gjykata speciale në Hagë dhe asnjë nismë tjetër e ardhur nga Beogradi apo aleatët e tij, nuk do të mund të barazojnë viktimën me xhelatin”, ka deklaruar kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.