Pak javë më parë, televizioni “ABC” ndërroi pronar papritur.
Drejtuesit e rinj kanë nisur menjëherë me shkarkimet, edhe pse ndodhemi në mes të sezonit.
Ai thotë se e kanë njoftuar vetëm sot paradite, se nuk do e transmetojë emisionin nesër me arsyetimin “ristrukturim programor i ABC-së”.
Xhafo shton më tej se me situatën aktuale të këtij televizioni, faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh
Gazetari shprehet se programet e reja, sado mirë e me përkushtim të bëhen, nuk do të arrijnë dot kurrë të hedhin rrënjë.
Reagimi i plotë:
Në LOG. nuk do të kuvendohet më!
Sot paradite m’u komunikua se, me efekt të menjëhershëm, emisioni LOG. ndërpritet. Pra, për nesër, ditë e martë, duhet të njoftojmë të ftuarit të mos vijnë. Arsyeja zyrtare: Ristrukturim programor i ABC-së. Çështja është se me situatën aktuale të ABC-së faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh. U daltë për hajër!
LOG. në fakt nuk është emisioni i parë që mbyllet, nuk ka për të qenë as i fundit. Tregu mediatik ka ca kohë që është bërë tejet dinamik. Mirëpo ky dinamizëm shpesh konjuktural nuk vjen së brendshmi, si pasojë e kërkesë-ofertës, cilësisë së programeve, apo zotësisë së moderatorëve. Kjo dëmton programet e reja si LOG., që, sado mirë e me përkushtim të bëhen, nuk do të arrijnë dot kurrë të hedhin rrënjë. Çelsi i suksesit të një programi të mirë është, ndër të tjera, konsistenca. LOG. po ndërpritet në fillim të sezonit të tretë, për “ristrukturim programor”, ndonëse deri dje, sipas bordit tanimë të shpërbërë të ABC-së, ishte zëri zyrtar i linjës (së ekulibruar) editoriale të ABC-së.
LOG., vendi ku kuvendohet fshtatçe, i shkruar edhe me pikë në fund si të ishte pjesa e parë e fjalës LOG.jikë, sipas një ideje të Genc Gjinecit, u përpoq shumë të ishte vendi i një debatit të arsyeshëm. Meritë për këtë kanë të gjithë ata që dhanë nga një dorë; të metat janë vetëm të miat.
Suksese samitit nesër!