Ambasadorët e Bashkimit Evropian, kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kështu është bërë e ditur nga Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Ambasadorët e BE-së miratuan një tekst kompromisi për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar. Presidenca çeke e çon Kosovën një hap më tej në rrugëtimin e saj evropian”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi e kishte cilësuar liberalizimin e vizave si një arritje e Kosovës drejt integrimit evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se një datë si e sotmja paraqet një ditë të rëndësishme për Kosovën duke qenë se në të njëjtën ditë, u nënshkrua edhe aplikimi për anëtarësim në BE.
“Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian janë dakorduar ditën e sotme mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Dakordimi, i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedurial para hyrjes në fuqi, do t’u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të udhëtojnë drejt BE-së pa viza, më së largu me 1 janar 2024, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore.Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë, pas edhe nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE”, ka shkruar ai.
Krahas kësaj, Bislimi ka falenderuar Presidencën Çeke për përkushtimin si dhe grupin parlamentar të social-demokratëve, të cilët mirëpritën dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.