Prokuroria e Posaçme njoftoi të hënën më 19 dhjetor dërgimin për gjykim të çështjes ndaj 21 të dyshuarve për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe mashtrim në projektin e ndërtimit të inceneratorit të mbetjeve në Fier.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, biznesmeni Klodian Zoto dhe zyrtarët e lartë Pëllumb Abeshi e Etleva Kondi janë dërguar për gjykim për të dytën herë për të njëjtat vepra penale brenda pak javësh.
Ndërkohë, 16 persona të tjerë, zyrtarë dhe drejtues të kompanive të lidhura me inceneratorin e Fierit janë gjithashtu nën akuzë për vepra penale që lidhen me ndërtimin e këtij inceneratori.
SPAK thotë në njoftim se ka provuar një sërë veprash penale në ngarkim të të dyshuarve, përfshi përfitimet e paligjshme në mbi 146 milionë lekë që i janë transferuar ish-ministrit të Mjedisit përmes kompanive të lidhura me të dhe në mbi 14 milionë lekë transferuar ish-deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako përmes pagës prej 6 mijë eurosh në muaj për babanë e tij.
Prokuroria thotë se ka provuar shkelje të ligjit që me procedurat e ndjekura për dhënien e koncesionit, e në vijim më shpronësimin si “tokë truall” të vendit ku do të kryhej ndërtimi, ndërsa ishte “tokë arë” dhe më pas me përpilimin e faturave fiktive për punime që nuk ishin kryer.
Në njoftimin për shtyp, Prokuroria thotë se ka dokumentuar shkelje që kanë shkaktuar një dëm financiar në rreth 700 milionë lekë dhe thotë se ka vendosur sekuestro pasurive të përfituesve.
“Gjatë hetimit është vendosur masë e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e të pandehurve Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Klodian Zoto, që kanë përfituar në mënyrë të parregullt, me qëllim kërkimin e konfiskimit të vleftës së përfituar në mënyrë të parregullt”, thuhet në njoftim.
SPAK detajon sekuestrimin e një sërë pasurive të ish-ministrit Lefter Koka kryesisht njësi tregtare me vlerë ekuivalente shumën e përfituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu është sekuestruar edhe një apartament në pronësi të Edmond Bllakos që ka vlerën të përafërt me paratë e dyshuara si të përfituara prej djalit të tij.
© SYRI.net