Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, tha se Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, “ku lojtari më i spikatur është Aleksandar Vuçiq”.
Por sipas Janjiq tani Vuçiq nuk ka kontroll mbi të gjithë njerëzit e armatosur që mbajnë barrikadat. Janjiq tha për agjencinë Beta se në barrikada ka serbë nën punë apo detyrim politik, por edhe njerëz të armatosur dhe të maskuar të kontrolluar nga shërbime të ndryshme të sigurisë vendase dhe të huaja.
“Rojet e armatosura të barrikadave i përkasin strukturave të ndryshme të sigurisë dhe grupeve të tifozëve. Vuçiq ka ndikim dhe kontroll mbi një pjesë të atyre strukturave dhe tifozëve, por në mesin e tyre ka edhe nga ata që kanë kryer stërvitje në Perëndim apo në kampet e “Wagnerit” rus, dhe Perëndimi dhe Moska kanë më shumë ndikim në to sesa Beogradi. Vuçiq në këtë moment nuk mund ta kontrollojë protestën në veri të Kosovës, ndonëse në fund për shkak të gabimeve që ka bërë do të jetë përgjegjësi më i madh për pasojat që mund të lindin”, ka vlerësuar Janjiq.
Sipas tij, sa më gjatë të zgjasin barrikadat, aq më pak kontroll do të ketë Beogradi.
“Gjëja më e keqe është kur shteti futet në një situatë ku kontrollon institucionet parashtetërore përmes formacioneve parashtetërore. Ndikimi i Rusisë është më i madh se ai i Beogradit kur bëhet fjalë për shtyrjen e gjërave drejt konfliktit të armatosur. Gjithashtu, disa nga personat kryesorë të listës serbe janë të lidhur me shërbimet e inteligjencës britanike, disa janë të lidhur me Vuçiqin dhe disa janë jashtë çdo kontrolli. Situata është shumë e komplikuar dhe tani shumë njerëz kanë mundësi të shtijnë plumbin e parë”, ka theksuar Janjiq.
Ai shtoi se braktisja e institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe rezulton me një vakum institucional dhe në krijimin e një vakumi sigurie.