WASHINGTON POST/ Në kohën kur Charles McGonigal dyshohet se filloi të punonte për një rus që ishte nën sanksionet e SHBA-së, ish-agjenti i FBI kishte hyrë tashmë thellë në marrëdhënie të tjera sekrete me kryeministrin e Shqipërisë dhe një ish-operativ të inteligjencës shqiptare, sipas aktakuzës amerikane.
Puna në Shqipëri e McGonigal-it dyshohet se filloi ndërsa ai ende punonte për FBI-në, një pikë e veçantë shqetësimi për ish-kolegët e tij.
Prokurorët pretendojnë se deri në gusht 2017, McGonigal kishte lidhje e kontakte me një person nga Nju Xhersi, i lindur në Shqipëri dhe që kishte punuar për inteligjencën shqiptare disa dekada më parë.
Aktakuza nuk e përmend emrin e këtij personi, por përshkrimi përputhet me Agron Nezën, për të cilin të dhënat e korporatave shqiptare tregojnë se hyri në biznes me McGonigal në vitin 2019, pasi McGonigal u largua nga FBI.
Neza nuk iu përgjigj disa mesazheve, por shkrimi i Euronews tha se Neza dha një deklaratë në të cilën ai e quajti McGonigal një mik dhe pranoi se i kishte dhënë para dhe se kishte qenë pjesë në takimet e McGonigal me zyrtarët shqiptarë.
Emri i Nezës, së bashku me të tjerë, u përfshi në një akuzë të jurisë së madhe të nëntorit 2021 të publikuar nga Business Insider në shtator dhe u konfirmua për The Washington Post nga një person i njohur me hetimin.
McGonigal i kërkoi Nezës para – dhe Neza pranoi, duke i premtuar se do ja kthente “pak nga pak”, sipas aktakuzës.
Më pas të dy udhëtuan së bashku në shtator 2017 drejt Shqipërisë, ku u takuan me kryeministrin Edi Rama, thuhet më tej në aktakuzë.
McGonigal, i cili ishte ende duke punuar për FBI-në në atë kohë, e paralajmëroi kryeministrin shqiptar të mos jepte licenca fitimprurëse për shpime për kompanitë që ishin fronte për interesat ruse.
Ndërsa McGonigal dukej se po vepronte në rolin e tij si oficer kundërzbulimi kundër ndikimit rus, prokurorët pretendojnë se, në fakt, Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal, i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës, kishin interesat e tyre financiare në fushat e shpimit për naftë.