Gazetare: Ajnur Bafqari
Nëse bullgarët nuk përfshihen në Kushtetutë, bisedimet e Maqedonisë me BE-në nuk do të fillojnë. Kështu porositi nënkryetarja e Bullgarisë, Iljana Jotova, e cila gjatë kthimit nga Kosova, u ndal në Shkup ku u takua me përfaqësuesit e bashkësisë bullgare në vend. Gjatë takimit që u zhvillua në ambasadën bullgare në Shkup, Jotova siguroi se Bullgaria nuk do të bëjë lëshime për marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut.
“Nëse Bullgarët nuk përfshihen në Kushtetutë, ju them, nuk do të ketë asnjë përparim në bisedimet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin evropian. Nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare, nuk do të ketë raport nga ana e Komisionit Evropian dhe misionit të KE-së, me çka duhet të fillonin bisedimet e vërteta,“ tha Iljana Jotova, nënkryetare e Bullgarisë.
Nga Ministria e Jashtme nuk komentuan deklaratën e Jotovës, por lidhur me zërat se ajo kishte realizuar vizitën pa paralajmërim, thonë se vizita ishte paraqitur në bazë të rrugës diplomatike përmes ambasadës bullgare.
“Informojmë se lidhur me qëndrimin e nënkryetares nuk janë kërkuar takime e as përmbajtje të tjera programore dhe qëndrimi e tranziti i saj nëpër vend është në organizim të Ambasadës,” deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u rritën në disa muajt e fundit, por ato kulminuan javë më parë, kur disa të rinj e sulmuan sekretarin e klubit kulturor bullgar “Car Borisi i tretë” që çoi në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Maqedonia e Veriut. /alsat.mk