Gazetar: Adnan Qaili
Furrtarët tregojnë dhëmbët duke dashur të heqin barrën e masës sociale për bukë më të lirë, siç thonë se shteti po e bën në kurriz të tyre. Prodhuesit e bukës morën vendim të përbashkët për të ndërprerë prodhimin e të gjitha produkteve të brumit, duke kërcënuar se do t’i lënë qytetarët pa bukë, që në ditën e parë pas shpalljes së vendimit të Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës në Gazetën Zyrtare. Krerët e industrisë së furrtarëve në Odën Ekonomike, pas takimit të sotëm të anëtarëve, thanë se tani ka pasur bukë më të lirë falë subvencioneve të energjisë elektrike, por ngrirja e çmimit do të mbyllë punën e tyre.
“Ne nuk mund të jemi përgjegjës social si kompani që të shkojnë në humbje! Në dy vitet e fundit ne kemi pandërprerë masa, marzha, ngrirje të çmimeve, pandemia-korona, asi-kësi modele të gjitha këto në dëm të industrisë së furrtarëve. Nuk mund të merret vendim që nga nesër çmimet do të jenë ato. Ky është shkatërrim për industrinë tonë. Industria njëzëri vendosi që do ndaloj së prodhuari bukë. Kjo është thirrje për bojkot, apo jo? Jo për bojkot, kjo është thirrje për të shpëtuar industrinë!”, tha Goran Malishiq, Oda ekonomike – furrtarët.
Sipas tyre, masa e Ministrisë së Ekonomisë do të sjellë dëme nga 3,000 deri në 15,000 euro në ditë për prodhuesit e bukës dhe disa thonë se do tu vënë drynin. Por, qytetaret pyesin si ka mundësi që me para publike të subvencionohet rryma për prodhuesit privat dhe sërish mos të ndjejnë uljen e çmimit bukës.
Bukëpjekësit arsyetohen se çmimet janë të larta sepse sasinë e grurit dhe miellit që kanë në depo e kanë blerë në kohën kur ishin me çmime të larta. Sipas tyre këto ulje të çmimeve si të lëndës së parë, të naftës dhe të rrymës filluan të zvogëlohen në 30 ditët e fundit. Ata thonë se në mungesë të punëtorëve janë detyruar të rrisin pagat.
“A e dini se kjo mungesë e punëtorëve krijon kosto të lartë të fuqisë punëtore në tregun e lirë. Pagat janë rritur seriozisht për këto zanate specifike si bukëpjekës e pastiçer. Ne kemi shtypje të kostos që varet 35% e çmimit nga fuqia punëtore dhe vetëm 10% nga rryma e subvencionuar. Sa është paga mesatare e tyre? Varet, mesatarja 600-700€. Ka edhe 800-900 dhe bukëpjekësi kryesor ka pagë 1,000€. Shitësja 300-400€.
Sa të punësuar ka me pagë minimale? Nuk ka! Përse e theksoni pra rritjen e saj? Ka disa të punësuar”, theksoi Goran Georgievski, Oda ekonomike – furrtarët.
Nga 28 shkurti, Qeveria vendosi të ngrijë çmimin me pakicë të bukës për shkak se një numër i madh i kompanive nuk e ulën çmimin, megjithëse marrin rrymë të subvencionuar nga shteti.
Buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë nga e marta nuk do të shitet më shtrenjtë se 33 denarë. Bekteshi tha se ka kompanitë që e kanë ulur çmimin e bukës, por në kurriz të kësaj kanë ulur edhe peshën, kështu që sasia për bukën e bardhë dhe gjysmë të bardhë do të përcaktohet në 450 gramë. Ndryshe, masa për energji elektrike të subvencionuar, e cila nuk dha rezultatet e dëshiruara, i kushton shtetit 1,5 milion euro në muaj. Paratë e parashikuara do të ripërdoren, sipas resorit ekonomik, një pjesë të këtyre mjeteve shteti do të mbulojë doganat për importin e brumërave, që të ulen çmimet e makaronave./Alsat.mk