Investigimi/ BIRN: Amant Josifi e ktheu Tiranën në kryeqytetin e skemave mashtruese të investimeve

Kompanitë e ‘call center’-ave të lidhura me një ish-zyrtar të lartë politik shqiptar u bënë shtylla operative e një rrjeti kriminal ndërkombëtar, i cili mashtroi gjatë pesë viteve qindra-mijëra viktima në të gjithë Evropën, duke u zhvatur miliarda euro.

Nga Klodiana Lala, BIRN

 Më 14 nëntor 2018, një grua u paraqit në stacionin e policisë “Mossos d’Esquadra” në qytezën e Puigcerdas në rajonin e Katalunjës në veri të Spanjës, për të bërë një denoncim kundër një kompanie investimesh në bursë, pasi kishte rënë pre e mashtrimit.

Merce Puig Ribot i tha hetuesve se një investim fillestar prej 250 eurosh nëpërmjet kompanisë ‘Universe Markets’ ishte fryrë në një humbje, që i kishte kushtuar më shumë se 560 mijë euro.

Katër vjet më vonë, në 22 prill 2022, Ribot u shfaq përsëri para hetuesve duke deklaruar se kishte humbur edhe 291 mijë euro të tjera, pasi ishte kontaktuar nga një studio e pretenduar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit të parë dhe kishte premtuar që t’i rikuperonte paratë.

“E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit mashtrim të kryer nga e njëjta organizatë,” shkruajnë hetuesit në dosjen hetimore të siguruar nga BIRN.

Nëpërmjet gjurmimit të rrjeteve kompjuterike, hetuesit spanjollë arritën t’i gjeolokonin adresat e protokollit të internetit (IP) nga ku funksiononte platforma ‘universe-markets.com’ në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi.

Ata gjithashtu zbuluan një duzinë platformash mashtruese të ngjashme – të krijuara nga një organizatë kriminale ndërkombëtare e njohur si ‘Milton Group’, e cila përdorte qendra thirrjesh [call centers] dhe operatorë në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoni të Veriut dhe Ukrainë.

Sipas Eurojust, organizata kriminale ka mashtruar qindramijëra viktima prej vitit 2018, duke siguruar të ardhura me vlerë 50 milionë euro çdo tremujor.

Me 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Poscaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group’ dhe arrestoi 4 të dyshuar.

Këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama.

Josifi nuk ishte mes të arrestuarve nga operacioni policor, edhe pse është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle. Ai nuk ishte i arritshëm për koment. Znj. Xhaçka ia referoi pyetjet për rekrutimin e tij Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që Olsi Rama nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN.

Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN se Josifi kishte shërbyer si këshilltar nga muaji dhjetor 2018 deri në maj 2020.

Inxhinieria sociale

Skemat e mashtrimit financiar nëpërmjet ‘call center’-ave u shfaqën fillimisht në Izrael në formën e investimeve në Forex nëpërmjet të ashtuquajturave ‘opsione binare’ dhe u shpërngulën në Evropë pasi u shpallën ta paligjshme në vitin 2017 nga Tel Avivi, duke marrë forma të ndryshme, si investime në bursë dhe kriptovaluta.

‘Milton Group’ është një organizatë kriminale transnacionale e dyshuar si e përfshirë në krimin kibernetik, mashtrime dhe pastrim parash në Europë që nga viti 2016.

Nëpërmjet qendrave të thirrjeve telefonike të shtrira në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës Lindore, pjestarët e këtij grupi kriminal u prezantohen viktimave potenciale si operatorë burse dhe ofrohen t’i ndihmojnë që të fitojnë shuma të mëdha parash në një kohë të shkurtër, nëpërmjet investimeve të vogla. Ndryshe nga sa premtojnë, organizata i mashtron viktimat e saj pasi fiton besimin e tyre nëpërmjet teknikave të inxhinierisë sociale.

Një operator i një qendre të thirrjeve telefonike mashtruese nga Tirana, i cili foli në kushtet e anonimatit, i shpjegoi BIRN se qendra ku ai punonte ndahej në tre departamente dhe tavolina sipas gjuhëve të huaja të ndryshme.

Departamenti i parë përbëhej nga të punësuar që kishin rolin si ‘broker’, të cilët telefonin numra të zgjedhur rastësisht për t’i bindur që të investonin. Brokeri më pas ia kalonte viktimat departamentit të ‘aperturave’, i cili merrej me hapjen e depozitës dhe derdhjen e parave. Mbasi klienti bënte depozitën e parë, ai kalonte në departamentin e ‘account manager’, i cili ishte konsultenti financiar që bënte analizë të tregjeve financiare dhe e bindte klientin të investonte sa më shumë.

Operatorët i prezantoheshin viktimave të tyre me emra të rremë dhe fillimisht i bënin disa pyetje për të krijuar profilin, përpara se të ofrohej shërbimi për të investuar në skemat fiktive të investimeve. Sipas operatorit nga Tirana, telefonata bëheshin nga broker të kompanisë në shumë vende të Evropës, por kompania nuk pranonte depozita nga shtetas shqiptarë me banim në Evropë.

Një ndër teknikat që operatorët e qendrave të thirrjeve përdornin për t’i bindur viktimat që të investonin në skemat mashtruese, ishte shfrytëzimi i mosbesimit që shumë prej tyre kishin ndaj bankave dhe konsulentëve që punojnë në institucione financiare, si dhe premtimi për fitime të shpejta.

“U thoja se te shërbimi që ofrojmë ne, është klienti ai që drejton paratë e tij dhe fitimi ishte [tërhiqej] brenda muajit, brenda ditës, javës, kurdo që ai të zgjidhte,” kujtoi ish-punonjësi i ‘call center’-it, ndërsa shtoi se ndryshe nga bankat, klientëve u premtohej deri në 100 për qind normë kthimi mbi investimin e tyre.

Sipas operatorit, në qendrën e thirrjeve ku ai punonte në Tiranë kishte qindra të punësuar, por ata përbënin vetëm majën e ajsbergut të një industrie mashtrimi të shtrirë në të gjithë vendin.

“Ka qindra të tilla në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Shkodër,” pohoi ai.

Lidhje politike

Procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, kanë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve. Sipas dokumenteve të SPAK të para nga BIRN, mbas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni 33-vjeçar, Amant Josifi.

Sipas profilit të botuar në një faqe personale interneti, Josifi ka shërbyer deri në vitin 2020 si këshilltar për NATO-n i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila mban tani funksionin e Ministres për Punët e Jashtme dhe Evropën. Edhe në faqen e tij në rrjetin social ‘LinkedIn’, Josifi prezantohet si këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes.

Në vitin 2014, Josifi ka themeluar së bashku me vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama dhe biznesmenin Endri Meksi, kompaninë Pegasus Communcations Shpk. Ai i ka shitur aksionet e tij në këtë kompani në vitin 2018.

Në faqen e tij biografike në internet, Josifi e prezanton veten si djali i një biznesmeni, i arsimuar në Francë për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

“Si djali i një sipërmarrësi në fushën e ndërtimit, ai ka qenë i apasionuar pas botës së biznesit që në moshë të vogël,” shkruhet në biografinë e tij.

“Për shkak të angazhimit dhe njohurive (ai u regjistrua në atë kohë për doktoraturë në Francë), Ministri i Mbrojtjes i besoi detyrën e këshilltarit, veçanërisht në marrëdhëniet me NATO-n, deri në vitin 2020, ” shton biografia e sipërmarrësit.

Për të zbuluar lidhjet midis ‘call centerave’ në Shqipëri dhe faqeve mashtruese të investimeve të ‘Milton Group”, hetuesit spanjollë kanë analizuar miliona emaile të dërguara nëpërmjet dhjetra plaformash të ndryshme.

“Nga analiza e 3 milionë emaileve evidentohet ndërlidhja e platformave ‘call center’ me kompanitë e tjera të lidhura me organizatën kriminale me shtrirje ndërkombëtare,” shkruajnë prokurorët në dokumentet hetimore të para nga BIRN.

Nga analiza e këtyre emaileve, hetuesit kanë identifikuar 235,942 viktima potenciale në të gjithë Evropën, gati një e treta e tyre me banim në Gjermani.

Operatori nga Tirana që foli për BIRN tha se punonjësit shqiptarë të ‘call center’-ave ishin në dijeni që klientët e tyrë mashtrohen.

“Personalisht kam pasur shumë momente, kur dëgjoja klientë të cilët kishin humbur kursime, të cilët ishin divorcuar, shkatërruar familjen dhe kanë qenë raste që unë mendova të hiqja dorë, për padrejtësitë që shikoja,” tha operatori. “Nuk doja ta vijoja më këtë punë,” përfundoi ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme