Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga Kopliku ka komentuar vendimin e Arbitrazhit, sipas të cilit Shqipëria do të duhet t’i paguajë biznesmenit italian Becchetti 110 milionë euro.
Meta pohoi se gjoba do paguhet nga qytetarët, ndërsa paralajmëroi dhe të tjera vendime që do të merren nga Arbitrazhi.
Meta: Pse s’ka lekë për mësuesit, për pensionistët? Apo ka lekë vetëm për inceneratorët dhe oligarkët. Falimentoi Vora, një nga vendet më të pasura në Shqipëri për sipërmarrjet, apo ka falimentuar Kavaja. Sot doli lajmi, do ekzekutohet gjoba ndaj Becchettit. Do paguajnë shqiptarët 110 mln euro. Pse?! Për dhunën që bën Rama dhe Veliaj ndaj mediave. Do vijnë gjoba të tjera edhe më të rënda. Mediave duan t’u mbyllin gojën, qytetarëve, opozitës, që të vjedhin në mënyrë skizofrenike. Siç ka ndodhur dhe po ndodh në këtë realitet të hidhur. Në 14 maj rikthehet llogaridhënia. Rikthehet shpresa dhe besimi se këto institucione s’do të jenë mekanizma, kontrolle e zhvatje ndaj qytetarëve.
Gjithashtu Meta tha se niveli i borxhit është rritur, duke shtuar se në 14 maj t’i kthehet dinjiteti shqiptarëve, përmes ndryshimit.