Kim Mehmeti: Përparësia e Vuçiqit kundër Kosovës është përkrahja e Ramës?!

Mund të ndodhë që Kryeministri i Kosovës të ‘çmendet’ deri në ato përmasa sa t’i shpallë luftë edhe NATO-së dhe kjo të na çojë të gjithëve t’i themi se është duke e marrë në qaf popullin, por megjithatë, është e turpshme, është perverse që në emër të ‘lojërave globale’, t’ia kthesh shpinën Kosovës, t’i bëhesh krah atij që e urren popullin tënd, atij që gjithë potencialin diplomatik e përdorë për ta copëtuar Kosovën e për ta futur në grackë Prishtinën.
Dhe mundë të ndodh që Kryeministri i Kosovës ta humbë besimin e gjithë diplomacisë botërore, por përderisa atij i besojnë shqiptarët, përderisa ai përballet me mjeshtërit e gjakderdhjeve të Beogradi, është e turpshme, është sjellje monstruoze, ta ndihmosh vrasësin e popullit tënd me arsyetimin se Shqipëria nuk ‘qenka UFO’, se ajo na paska obligime ndërkombëtare që e çliruakan nga obligimet kombëtare, se ato obligime e pamundësuakan Tiranën zyrtare të solidarizohet me vëllezërit e saj të rrezikuar nga Serbia luftë ndjellëse.
Shumëçka mund të ndodhë sot kur Serbia ka vendosë që Kosovës t’ia rrëmbej Veriun e saj, por është perverse, është monstruoze dhe kurrë nuk duhej të ndodhë ajo që me shumëçka është duke ndodhur: që krahë një Serbia kishtare të etur për gjak shqiptarë, të qëndrojë Tirana Zyrtare?!
Po pra, mund të ndodh që Kryeministri i Kosovës ta humb mbështetjen e gjithë botës, por Tiranë zyrtare nuk guxon ta bëjë turpin e paimagjinueshëm: që të mos shqetësohet as kur Kosovës ia kidnapojnë policët dhe ta ndihmojë Serbinë në pafytyrësinë e saj të tregohet ‘paqedashëse’, duke u distancuar nga Prishtina ‘luftënxitëse!?
Edhe Turqia ishte pjesë e NATO-së dhe mike e perëndimit, por në vitin 1974, kur u rrezikuan turqit e Qipros, nuk pyeti kush ishte fajtor, por i doli në mbrojtje popullit të saj. Sepse Ankara e dinte se mospajtimet me të huajt edhe mund t’i zgjedhësh, por turpin dhe perversitetin që t’ia kthesh shpinën vëllait tënd të kërcënuar nga armiku, e përqesh e gjithë bota dhe atë nuk ta shlyen nga fytyra asnjë aleancë ndërkombëtare.
Po ne jemi popull i vogël, ne nuk mund të pretendojmë të sillemi si ata që edhe nuk varen gjithaq nga forcat globale, ne shumëçka nuk mundemi pa mbështetjen e SHBA-ve, por ne nuk duhet të tregohemi aq të mjerë, aq të padinjitetshëm dhe aq të pafytyrë sa në rrethana kur Serbia donë ta copëtojë Kosovën, të bëhemi krahë i Vuçiqit. Gjë që me shumëçka është duke e bërë strategu i përmasave globale, por mbase fytyra më besnike e mjerimit tonë politik – Kryeministri i sotëm e Shqipërisë! (Kim Mehmeti)/sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme