Nga Robert Greenall, BBC
Udhëheqësi i “Wagner’, Yevgeny Prigozhin tha se mesazhi i tij i fundit në Telegram kishte për qëllim t’i përgjigjej pyetjeve më të rëndësishme që njerëzit kishin në lidhje me marshimin e tij në Moskë dhe ngjarjet që e sollën atë. Ai tha po ashtu se qëllimi ishte të korrigjohej çdo keqkuptim.
Duket se një pjesë e personelit të Wagner do të transferohen në Bjellorusi- gazeta ruse Verstka ka raportuar se ka filluar ndërtimi i kampeve atje.
Ka pasur gjithashtu spekulime të pabazuara se Wagner mund të përdoret për një sulm ndaj Ukrainës nga Bjellorusia.
Sa për fatin e vetë Prigozhinit, ai tha të shtunën se do të shkonte në Bjellorusi, në fakt në mërgim. Por nuk janë dhënë shumë detaje rreth vendndodhjes së tij që kur u largua nga Rostovi të shtunën, dhe është e paqartë se ku është regjistruar mesazhi i tij i fundit.
Prigozhin tha se qëllimi i marshimit ishte të parandalonte shkatërrimin e Wagner dhe duket se kjo është arritur. Zyrat e Wagner kanë njoftuar se kanë rifilluar rekrutimet dhe aktivitetet e kompanisë në Afrikë dhe pjesë të tjera të botës po vazhdojnë.
Por a e detyroi Progozhinin ndonjë lëshim tjetër nga Kremlini që të përfundonte marshimin e tij? Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë, që ai donte të largoheshin, mbeten në vend për momentin.
Por mediat sociale ruse kanë qenë të mbushura me spekulime për një pasardhës të mundshëm- Alexei Dyumin, guvernatori i rajonit Tula dhe një mik i ngushtë i Prigozhin.
Me shumë mundësi nuk do të shohim fundin e pasojave të rebelimit të së shtunës edhe për ca kohë.