Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Tranfsereve, Hekuran Murati u intervistuan pas rrahjes së djeshme në Kuvendin e Kosovës.
Intervistimi i tyre u bë me ftesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Burime të KosovaPressit brenda prokurorisë bënë të ditur se Bislimi dhe Murati u dëgjuan dje, derisa ftesës nuk iu përgjigj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Po ashtu, sipas burimeve, bëhet e ditur se intervistimi dhe veprime të tjera hetimore do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar dje se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, lidhur me incidentin, i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit./kp