Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të diel ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia, por nuk ka treguar për numrin e tyre.
Me blerjen e dronëve, Kurti ka vlerësuar se Kosova tash është edhe më e sigurt.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri. Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.
Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.
Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë.