Gazetar: Lluka Andreev
Pas seancës plenare për nevojën e hapjes së Kushtetutës, në të cilën deputetët e opozitës votuan “kundër” rendit të ditës, LSDM-ja e krahasoi kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me paraardhësin, Nikolla Gruevski. LSDM thekson se akti i votimit “kundër” kujton veprimet e VMRO-DPMNE-së nga periudha e anëtarësimit në NATO. Sipas socialdemokratëve, seanca parlamentare dëshmoi se e vetmja ideologji e VMRO-së dhe e së “E Majtës” ishin bllokadat dhe zvarritjet.
“Papërgjegjësia dhe mungesa e kapacitetit të DPMNE-së dhe të Mickoskit nuk do ta pengojnë apo dekurajojnë koalicionin pro-evropian të udhëhequr nga LSDM. Si parti e përgjegjshme do të bëjmë gjithçka për të kaluar bllokadën në javët në vijim. Bëhet fjalë për të ardhmen e vendit”, tha Nenad Kociq – deputet i LSDM-së.
Rendi i ditës u miratua me 70 vota “për” dhe 47 “kundër”. Përfaqësuesit e pushtetit më herët theksuan se u mungojnë tetë deputetë për shumicë prej dy të tretash, jo dhjetë. Njëri nga deputetët e LSDM-së, Dime Vellkovski, nuk ishte fare i pranishëm në sallë, ndërsa për një deputet tjetër, shpjegimi ishte se nuk ka punuar butoni i tij. Pas këtij rezultati të votimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski akuzoi se “u bë e qartë se kush dëshiron që Maqedonia e Veriut të bëhet shtet prosperues dhe vend anëtar i BE-së dhe kush dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane të shtetit” dhe drejtoi gishtin kah VMRO – DPMNE-ja. Ai shtoi se koalicioni pro-evropian, siç thotë ai, nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet një sjelljeje të tillë të papërgjegjshme dhe joshtetërore dhe do të bëjë gjithçka për të hequr bllokadën dhe për të siguruar shumicë. Një ditë më parë kryeparlamentari Talat Xhaferi, pas shterimit të listës së të paraqiturve për fjalë, ndërpreu seancën dhe tha se deputetët do të njoftohen për vazhdimin e saj. Pritet që vazhdimi të caktohet në momentin kur shumica do të siguronte 80 vota dhe e vetmja gjë që ka mbetur pasi debati ka përfunduar është akti i votimit të nevojës për hapjen e Kushtetutës. /Alsat.mk