“Nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Aleanca për Shqiptarët, megjithatë do të mbajmë një mbledhje me kryesinë e partisë dhe pastaj do të dalim me deklaratë publike”, kështu përgjigjet për Portalb deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në pyetjen se a do të merr pjesë Lëvizja BESA në takimin e nënshkruesve të Platformës Shqiptare, për t’i shqyrtuar opsionet e mundshme për formimin e Qeverisë së re, njofton Portalb.mk.
Takimi pritet të mbahet në ora 13:00 në hotelin “Arka” të Shkupit, ndërkaq ashtu siç njoftuan dje nga BDI, Ali Ahmeti do të merr pjesë në këtë takim, të ftuar nga, Aleanca për Shqiptarët.
Të enjten, BDI-ja i ktheu LSDM-së draft/ligjin për shqipen, bashkëngjitur me mendimin e saj rreth disa çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me statusin, zbatimin si dhe harmonizimin e tij me Kushtetutën.
Nga ana tjetër propozimet e LSDM-së për përdorimin e gjuhës shqipe, nuk janë të pranueshme për Selën. Kryetari i LR-PDSH nuk deshi të zbardh se për çfarë propozimesh bëhet fjalë, duke shtuar se partia e tij ngel në qëndrimin për zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe.
Zaev, megjithatë, konfirmoi se i ka marrë dokumentet nga BDI-ja, megjithatë ashtu siç tha dje, ende nuk i ka shikuar personalisht, por se një grup i partisë po e shqyrton materialin. Sipas Zaevit, gjithçka është e pranueshme në korniza të Kushtetutës dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë.
Përndryshe ky është takimi i dytë i partive të bllokut shqiptar, pas atij të thirrur nga BDI, ku edhe në atë nuk mori pjesë Lëvizja BESA. /Portalb