Zona e Shkodrës është më e prekura nga një rit, i cili i është atribuar Kanunit, ajo e gjakmarrjes. Por nga sot dy familje në Shkodër, Bregu e Miruku i kanë shtrirë dorën e pajtimit njëra tjetrës, duke i dhënë në këtë mënyrë fund ngujimit disa vjeçar të familjes Miruku.
Familjet Bregu dhe Miruku, përkatësisht banuese në lagjet “Mark Lula” dhe “Perash” Shkodër, i kanë dhënë fund hasmërisë shumëvjeçare.
Në ceremoninë e zhvilluar me pjesëmarrjen e dy palëve dhe të misionarëve të paqes, Nikollë Shullani ka theksuar se ky veprim duhet të shërbejë si shembull edhe për familje të tjera që janë në gjak.
Nikollë Shullani:
“Të ngujuarit për shkak të gjakmarrjes janë shtresa më e rënduar se kur je i varfër del e kërkon punë e diçka gjen, por i ngujuari nuk mundet ta bëjë këtë. Kanuni ka ligje shumë të mira por spekulohet me to. Ne këtu në Shkodër kemi patur raste që janë vrarë për gjak, fëmijë e vajza , të cilat kanuni i përjashton kategorikisht. Kështu ka ndodhur në Bushat, Barbullush, qytetin e Shkodrës dhe në Dukagjin, ku për gjakmarrje janë vrarë të mitur dhe vajza”.