Deputetja britanike, Alicia Kearns ka folur sërish për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Kearns ka shprehur shqetësimin për mos vendosjen e masave ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët, ndërsa ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga BE-ja.
“Radoiçiç mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka masa për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, as rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Kearns edhe më parë kishte shkruar për rastin e 24 shtatorit, derisa kishte kërkuar që të vendoset drejtësia dhe jo të anohet drejt autoriteteve të Beogradit.