Ministrat e Jashtëm të Türkiyes dhe Kinës diskutuan nëpërmjet telefonit zhvillimet e fundit në Izrael dhe Palestinë, sipas burimeve diplomatike turke, transmeton Anadolu.
Hakan Fidan dhe Wang Yi diskutuan gjithashtu sulmet izraelite në Gaza, thanë burimet.
Fundjavën e kaluar, në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën sulme intensive ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake nga grupi palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.
Më shumë se 3.600 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor, duke përfshirë mbi 2.300 palestinezë dhe 1.300 izraelitë.