Një burrë 71 vjeç në Illinois është akuzuar për therjen fatale të një djali 6-vjeçar dhe për plagosjen e një gruaje 32-vjeçare.
Në zonën e Çikagos, zyrtarët gjetën gruan dhe djalin e vrarë në shtëpinë e tyre afër 65 kilometra në jugperëndim të Çikagos. Gruaja 32-vjeçare ka pësuar disa lëndime me thikë dhe pritet t’u mbijetojë plagëve, thanë autoritetet. Ndërkaq, 6-vjeçari i vrarë, sipas autopsisë, ishte therur disa herë me thikë.
“Detektivët ishin në gjendje të vinin në përfundim se dy viktimat e këtij sulmi brutal u shënjestruan nga i dyshuari sepse ishin myslimanë dhe për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit”, u tha në deklaratën e policisë.
Sipas autoriteteve, gruaja e plagosur kishte thirrur policinë dhe kishte raportuar se qiradhënësi i saj e kishte sulmuar atë me thikë. I dyshuari është arrestuar në shtëpinë e tij dhe kishte plagë në fytyrë, thanë autoritetet. Ai është identifikuar si Joseph M. Czuba dhe është akuzuar për vrasje dhe tentim vrasje. Organizata joqeveritare për të drejtat civile të myslimanëve e quajti këtë krim si “akthin tonë më të tmerrshëm” dhe nga kjo organizatë thanë se kanë pranuar kërcënime në rritje që kur ka shpërthyer konflikti midis Izraelit dhe Hamasit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka reaguar për këtë ngjarje duke thënë se “ky akt i tmerrshëm i urrejtjes nuk ka vend në Amerikë”. Konflikti mes Hamasit dhe Izraelit nisi më 7 tetor, pasi grupi militant kreu sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit. Ky i fundit u kundërpërgjigj me bombardime të pareshtura në Rripin e Gazës. /REL