Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se krahas rrezikut që konflikti të prodhojë luftëra më të mëdha, konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Palestinës ka gjithashtu potencialin për të sjellë një paqe historike, raporton Anadolu.
“Nga kjo luftë, mund të lindin luftëra më të mëdha, por gjithashtu mund të çojnë edhe në një paqe historike. Presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) beson se një paqe historike është e mundur”, tha ministri Fidan në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij libanez Abdallah Bouhabib të mbajtur në Bejrut.
Për vite me radhë, “fuqitë hegjemonike” errësuan natyrën e vërtetë të çështjes izraelito-palestineze me ndikimin e tyre mediatik, tha Fidan, duke nënvizuar se tani është koha për t’i dhënë fund kësaj.
“Tani është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa seriozë drejt zgjidhjes me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytetin e shtetit palestinez”, shtoi ai.
Duke theksuar se paqja nuk do të vijë në rajon për sa kohë që vonohet krijimi i shtetit të Palestinës, Fidan tha:
“Ne kemi paralajmëruar prej vitesh. Türkiye është një shtet i fortë dhe me përvojë, me një trashëgimi historike. Ju lutemi kushtoni vëmendje paralajmërimeve që kemi bërë”.
Ai theksoi se Türkiye po bën çmos për të parandaluar përshkallëzimin e një lufte që ka potencial për destabilizim që mund të prekë të gjithë rajonin, duke përfshirë Libanin, Egjiptin dhe Jordaninë.
“Ju (Izraeli) pushtoni tokën e dikujt. Ia rrëmbeni shtëpinë, e nxirrni jashtë, e sillni dikë dhe e vendosni aty dhe e quani ‘kolon’. Kjo quhet vjedhje”, tha Fidan, duke shtuar:
“Ne jemi duke diskutuar masat për t’i dhënë fund dramës së vazhdueshme në Gaza dhe të sigurojmë që popullata civile të mos preket. Jemi në kontakt të ngushtë me vendet e rajonit, veçanërisht në dërgimin e ndihmave humanitare për popullsinë në Gaza”.
Duke folur për bashkëpunimin e ngushtë të Türkiyes, kryesisht me Egjiptin, ai tha se Ankaraja kishte marrë kërkesa të shumta nga vendet që kërkonin ndihmë për të siguruar lirimin e qytetarëve të tyre të bllokuar në Gaza.
“Përpjekjet tona, veçanërisht për lirimin e të huajve dhe civilëve, janë të vazhdueshme. Përpjekjet tona do të vazhdojnë për vendosjen e paqes së qëndrueshme”, tha ai.
11 ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet dhe bllokada e Izraelit në Rripin e Gazës kanë vazhduar, me mbi një milion njerëz të zhvendosur, pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës, sipas Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punë për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNRWA).
Luftimet filluan kur Hamasi më 7 tetor filloi Operacionin Tufani i Al-Aksa-së, një sulm i befasishëm shumëdimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimet në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Grupi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunën e shtuar nga kolonët izraelitë.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin Shpata e Hekurt kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.
Përgjigja e Izraelit u ashpërsua edhe në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që ishte nën rrethim që nga viti 2007.