Ministria e Mbrojtjes e Kosovës në vitin 2019 vendosi të blejë armatim në vlerë mbi dy milionë euro. Pagesa u bë, por këtij institucioni të lartë të sigurisë nuk i erdhën armët që i porositi, shkruan Syri Kosova.
Syri Kosova përmes burimeve të saj brenda Ministrisë së Mbrojtjes mësoi se ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë ‘Reload’ në vlerë prej mbi dy milionë euro mbi bazën e nevojës që kjo kompani të armatoste ushtrinë e Kosovës me lloje të ndryshme të armëve nga një kompani private amerikane.
Syri Kosova ka parë dokumentin ku kompania ‘Reload’ në vitin 2019 u përzgjodh fituese e tenderit me procedurë të kufizuar për furnizim me armë.
Në marrëveshjen e lidhur ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe ‘Reload’, flitet për armatim që ende nuk kishte dalur në treg dhe ishin propozuar vetëm prototipet.
Për të qenë sa më korrekt në marrëveshjen e arritur, FSK-ja në vitin 2019 i kishte dhënë pagesë avans (paradhënie) kompanisë ‘Reload’, por as tani pas katër viteve armatimi nuk ka arritur.
Siç merr vesh Syri, për gjithë këtë skandal, Ministria e Mbrojtjes vendosi që tek pas katër viteve të bëjë padi ndaj kompanisë ‘Reload’ përmes Avokaturës së Shtetit.
Për këtë Syri i është drejtuar Avokaturës së Shtetit për të kuptuar më shumë rreth gjithë kësaj teme.
Në një përgjigje të Avokaturës dhënë Syri Kosovës, thuhet që në padinë e ngritur me 4 prill të 2023, po kërkohet që të bëhet kthimi i mjeteve/avancit dhe propozimi për caktimin e masën së sigurisë, ndaj kompanisë që u zotua që do ta sillte armatimin.
Në anën tjetër, kompania ‘Reload’ nuk i është përgjigjur thirrjeve të Syri Kosovës, deri në momentin kur po publikohet ky lajm.
Po ashtu, as ish-ministri Anton Quni, nuk është përgjigjur në thirrjet tona.
Syri Kosova do t’ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet që priten të ndodhin në lidhje me rastin.
© SYRI.net