Ndahen çmimet e Panairit të Librit 2023/ Shpallet shkrimtari dhe përkthyesi më i mirë i vitit

Në Pallatin e Kongreseve janë ndarë sot çmimet për Panairin e Librit 2023 për veprat më të mira letrare.

Ashtu si dhe vitet e tjera Panairit 2023 shpalli më të mirët e Panairit në kategoritë: “Shkrimtari më i mirë”, “Përkthyesi më i mirë”, “Libri më i mirë studimor” dhe “Libri më i mirë i letërsisë për fëmijë”.

Shkrimtari më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Mira Meksi, për romanin “Parisi vret”, me këtë motivacion:

“Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës.”

Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Ana Kove, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass, me këtë motivacion:

“Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës… Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore. ”

Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet zotit Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:

“Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.”

Çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 i jepet znj. Rudina Çupi, për librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”, me këtë motivacion:

“Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën.”

Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge i jepet Znj.Diana Çuli për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir, me këtë motivacion:

“Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese.”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme