Gazetar: Adrian Kerimi
Kryeministri Dimitar Kovaçevski pranon zgjedhje në maj. I pari i Qeverisë tha se deri në maj ka kohë të mjaftueshme që të organizohen zgjedhje të dyfishta në afat të rregullt.
Por sipas tij, për një gjë të tillë akoma nuk janë pajtuar partitë politike, shkruan Alsat.
“Mendoj se ka hapësirë të mjaftueshme që në muajin maj të mund të organizohen zgjedhjet në afatin e rregullt. Mbi qëndrimet përfundimtare do t’ju informojmë atëherë kur do të arrihet një marrëveshje mes partive politike në Kuvend”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami përgëzoi kryeministrin që arriti ta plotësojë mandatin, por tha se ky mandat po sjell dhe do të sjell pasoja të mëdha për qytetarët.
“Si rezultat i këmbëngulësisë së kryeministrit që ta çojë mandatin deri në fund, ne sot nuk kemi ftesë për t’i hapur negociata, por unë besoj se Shqipëria do ta merr ftesën. Duke pasur parasysh kompleksitetin e BE-së, zgjedhjet në parlamentin e BE-së dhe në vendet e BE-së si Franca mendoj se Maqedonia ka humbur një shans për të cilin nuk e di nëse do t’i kthehet shumë shpejtë për të vazhduar aty ku ka mbetur”, theksoi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Zgjedhjet në maj ishin edhe kërkesë e opozitës. Madje partia e Hristijan Mickoskit kërkon që zgjedhjet parlamentare të mbahen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi kohë më parë kërkoi që partitë të bien dakord deri në dhjetor për datën e zgjedhjeve nëse duan që ato t’i mbajnë në maj.
Përndryshe, Xhaferi tha se zgjedhjet do të shpallen në afat të rregullt./ Alsat.mk