Mirush Kabashi nderohet si artist shumëdimensional

Aktori Mirush Kabash, i cili vdiq të martën në moshën 75-vjeçare, është përshkruar si artist, koleg, mik e mbi të gjitha njeri i kompletuar. Recituesi i poezive të njohura shqipe e personazhi i dhjetëra filmave dhe shfaqjeve teatrore është nderuar si një prej emblemave të aktrimit ndër shqiptarë. Krahas familjarëve që kanë pritur njerëzit për ngushëllime në homazhet për Kabashin kanë marrë pjesë qindra artistë e qytetarë.

Me portretin bardhezi në ballë të hollit të Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë, Mirush Kabashi është nderuar e kujtuar nga familjarë, kolegë e miq. Aktori i cili vdiq të martën në moshën 75-vjeçare është përshkruar si artist, koleg, mik e mbi të gjitha njeri i kompletuar. Recituesi i poezive të njohura shqipe e personazhi i dhjetëra filmave dhe shfaqjeve teatrore është nderuar si një prej emblemave të aktrimit ndër shqiptarë. Krahas familjarëve që kanë pritur njerëzit për ngushëllime kanë kaluar qindra artistë e qytetarë. Midis tyre edhe aktori Luftar Paja.

Kolegun Kabashi, Paja e ka përshkruar figurë shumëdimensionale që do t’i mungojë kombit.

“Rrezatonte gjithë jetën mirësi. Ashtu siç kishte emrin Mirush, ashtu rrezatonte në art, në kulturë, shoqëri e në familje. Kur ka qenë pedagog, ka pasur student djalin tim dhe kam mbresat më të mira për figurën e Mirush Kabashit”, ka thënë midis të tjerash Paja.

 Radha e atyre që kanë bërë homazhe në bazë të pamjeve ishte e pafundme.

Aktori Ndriçim Xhepa e ka përshkruar kolegun e tij në disa perspektiva.

“Një aktor vërtet i talentuar i veçantë me talentin e tij me të dhënat psiko-fizike që kishte, por këtë gjë e pulsonte fort me punën e tij, ishte aktor shumë punëtor”, ka thënë ai për mediat shqiptare.

Një prej regjisorëve që e kishte angazhuar Kabashin në filma është Saimir Kumbaro. Ai ka rrëfyer se është dashur të merret vesh edhe me autoritetet politike në disa raste për angazhimin e Kabashit si artist që regjimi komunist e kishte në listë e aty me “biografi jo të mirë”.

“Roli që kishte më shumë për zemër ishte ‘Koncert në Vitin 1936’,s si Shasivari dhe te filmi i fundit ‘Ne dhe Lenini’. Mirushi të gjitha rolet i merrte shumë seriozisht. Ishte elastik, i zhdërvjellët. E merrte rolin, e studionte dhe të sugjeronte. Unë futem tek ata lloj regjisorësh që i dëgjoj shumë të tjerët. Rëndësi ka të dalë filmi mirë. Kjo është kryesorja”, ka kujtuar Kumbaro. Më tej është thelluar pak në kujtime.

“Kam shkuar te sekretari i partisë, i thashë nuk e dua për rol pozitiv, por për rol negativ. Dhe çfarë janë për role negative duhet të merrnim aktorë që kishin probleme me biografinë. Me Mirushin kam bërë 4 filma, gjithmonë kam gjetur një rrugë bashkëpunuese. Me Mirushin kemi shkuar shumë mirë. Ai i merrte shumë seriozisht personazhet, sugjeronte shtesa e heqje”, ka kujtuar Kumbaro.

Historia e Kabashit bën pjesë te rrëfimet e atyre personazheve që i kanë ndjekur persekutimi e lavdia.

I lindur më 17 prill të vitit 1948, në Shkodër, familja e Kabashit do të zhvendosej për të jetuar në Durrës. Me të atin nga Gjakova e të ëmën nga Durrësi, Mirush Kabashi qe fëmija i tretë i familjes. Me babanë që kishte bërë dy vjet burg shkaku i paragjykimeve të regjimit, dhe dy vëllezërit më të mëdhenj që kishin fituar të drejtën e studimeve duke plotësuar kuotën e kohës për një familje, Kabashi pak kishte shpresë që do të studionte. Kishte bërë një kërkesë formale që t’i lejoheshin studimet në inxhinieri elektrike, fizikë ose gjuhë angleze. Por fati do të përcaktonte që drejtori i shkollës ta rekomandonte atë për aktrim.

“Gjatë studimeve kam qenë student i mesëm. Vija nga një familje patriarkale dhe nuk hapesha shumë. Pastaj emërimi në Teatrin e Durrësit ishte gjë shumë e mirë”, do të rrëfente ai më 2021.

Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e programeve artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga viti 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” në Akademinë e Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989, Kabashi u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë u vlerësua si njëri ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në festivalin e aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit. Gjatë karrierës së tij Kabashi realizoi dhjetëra role në kinematografi midis tyre: “Ne dhe Lenini” (2008), “Nata” (1998), “Edhe ashtu edhe kështu” (1989), “Binarët” (1987), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Zëvendësi i grave” (1987), “Nxënësit e klasës sime” (1984), “Kohë e largët” (1983), “Dora e ngrohtë” (1983), “Shoqja nga fshati” (1980), “Një ndodhi në port” (1980), “Gëzhoja e Vjetër” (1980), “Radiostacioni” (1979), “Koncert në vitin 1936” e të tjerë.

Sa i përket teatrit Kabashi ka lënë nam me monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Ai që përshkruhet si “Sokrati shqiptar” është varrosur të mërkurën në Sharrë. Është përcjellë me nderime nga familjarë, miq e kolegë, përderisa mbetet i pranishëm nëpërmjet roleve të tij.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme