Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje të reja në lidhje me arrestimin e 4 personave, Rexhep Rapi, nipi i tij Algert Rapi, Devi Gjermëni dhe ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, për organizimin e atentatit ndaj ndaj “kapos” së drogës, Xhevdet Plaku.
Në një njoftim për mediat, SPAK bën me dije se atentati ndaja Xhevdet Plakut ishte planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës.
Katër të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin siguruar kushtet dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakur, i njohur ndryshe si “Akili”.
Ndaj tyre Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për akuzat “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, pas kërkesës së depozituar nga SPAK më 16 Dhjetor.
Ndërkohë ditën e sotme (22 Dhjetor) masat e sigurisë janë ekzektuar për dajë e nip, si edhe Dedan Gjonin.
Gjithashtu është arrestuar sot në Limburg, Holandë edhe Devi Gjermëni, i cili u vendos në pranga si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.19/2022, i cili është regjistruar në bazë të informacioneve të përcjella nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës.
Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit R.R., D.GJ., A. R. në bashkëpunim me shtetasin D.D. (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xh. P., ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës.
Në datën 16.12.2023, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim R.R., D.GJ., D.D. (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe A.R.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.138 me datë 20.12.2023 ka vendosur:
Caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj të hetuarve R.R, D.GJ, D.D. dhe A.R, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xh.P., kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në 22.12.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest ne burg”, për të hetuarit R.R., A.R., dhe D.GJ. Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim D.GJ. Arrestimi i D.GJ. u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.
Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit të gjykatës.
Falenderim të veçantë për agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Holandës për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.