Tashmë është e konfirmuar. Shqipëria do të marrë pjesë në turneun miqësor ndërkombëtar të futbollit që do të zhvillohet në Algjeri në mars 2024.
Një turne me katër skuadra, të organizuar nën kujdesin e FIFAs, ku përveç Shqipërisë dhe Algjerisë pritëse, do të marrin pjesë edhe Afrika e Jugut me Bolivinë. Kombëtarja shqiptare do të nisë përgatitjet për “Euro 2024” me këto dy miqësore në muajin mars, ndërkohë pritet që në fundin e muajit maj dhe në fillim të qershorit, të luajë edhe dy takime të tjera miqësore që ende nuk janë caktuar me cilët kundërshtarë do të luhet.
Në lidhje me këtë turne, për “APS”-në është prononcuar edhe presidenti i Federatës Algjeriane të Futbollit, Velid Sadi. “Algjeria ka pasur privilegjin të caktohet nga FIFA për të organizuar këtë edicionin e parë të këtij turneu ndërkombëtar, i cili do të organizohet nën kujdesin e organizmit ndërkombëtar. Përveç Algjerisë, në turne do të marrin pjesë edhe Bolivia, Shqipëria dhe Afrika e Jugut”, saktësoi presidenti i federatës algjeriane.
Më tej Sadi zbuloi edhe datat që do të luhen ndeshjet si edhe stadiumet se ku do të luhet: “Ky turne ndërkombëtar do të luhet në datat e FIFA-s nga 18 deri më 26 mars, në mesin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjatë kësaj date të FIFA-s, kombëtaret afrikanë do të jenë aty me fillimin e raundit paraprak të kualifikueseve për “Kupën e Kombeve Afrikane 2025”. Para fillimit të këtij turneu, do të bëhet fjalë për kryerjen e shortit për të caktuar dy gjysmëfinalet që do të luhen në stadiumet “Miloud-Hadefi” në Oran dhe stadiumin e “19 Majit 1956” në Annaba, ndërsa finalja do të zhvillohet në stadiumin “Nelson-Mandela” në Baraki”, shpjegon Sadi. Ai vazhdoi: “Ky turne do të ketë praninë e anëtarëve të rëndësishëm të FIFA-s, dhe ndoshta presidentit të saj Xhani Infantino”, mbylli ai. /Panorama