Kim Mehmeti: Ai që vret fëmijë është i pafat dhe i mallkuar!

         Rritet në 23.968 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, nga i cili numër më shumë se gjysma janë fëmijë.
           Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, 180 gra lindin në Gaza çdo ditë në kushte çnjerëzore, me çka vazhdon beteja mes jetës dhe vdekjes.
             Dhe kjo nuk është lufta e vetme ku sot vriten fëmijë e të pafajshëm, por mbase është e vetmja e përkrahur nga ‘bota e civilizuar’.
               Andaj do ishte mirë nëse përkrahësit e Izraelit do tregonin publikisht nëse janë të kënaqur nga ‘fitorja’ e izraelitëve kundër ‘terroristëve’ me mbi dhjetë mijë fëmijëve palestinezë të vrarë?
                   Të tregojnë pra nëse janë të kënaqur kur shohin si Izraeli e ka rrafshuar Gazën me tokë dhe si palestinezët nuk kanë ku të strehohen përpos se të sillen rrotull pamundësisë së vet për t’i shpëtuar vdekjes.
               Ndërkohë bota vazhdon të vetëgënjehet me konventat e saja për mbrojtjen e të drejtave edhe të kafshëve, por të cilat, siç duket nuk vlejnë gjë për fëmijët e të varfërve.
Sidoqoftë masakra në Gazë do jetë thertorja e parë e përkrahur nga shtetet perëndimore, të cilat u bënë palë me vrasësit e fëmijëve palestinezë, o duke i mbështetur ata, o duke i furnizuar me armë.
                 Ku ta dish, mbase bota është mësuar me pamjet ku shihen fëmijët e masakruar dhe tani në heshtje është duke pritur edhe vrasjen e fëmijës së fundit në Gaza me çka izraelitët mbase do e shënojnë fitoren e vet të plotë kundër ‘terroristëve’ palestinezë, të cilët ‘terroristë’ shtatë dekada me radhë, Izraeli i dëboi, i burgosi dhe i vrau vetëm pse ata e donin jetën, lirinë dhe tokën e vet.
                  Por ditën që do ndodh kjo, bota do ketë pamje krejt më ndryshe: atë do e banojmë ne të maskuarit në njerëz, ne që nuk e kuptuam se sa më pak dhembshuri ndaj tjetrit, aq më pak njeri ka në ne dhe se ai që vretë fëmijë është i pafat dhe i mallkuar. (Kim Mehmeti)/sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme