Kur politika përzihet me sportin, rezultati shpesh është sensacionalizmi mediatik, raportimi joprofesional dhe informimi i gabueshëm i publikut. I tillë është rasti me informacionet për gjoja mosnjohjen e Maqedonisë dhe ndalimin e flamurit kombëtar në turneun e famshëm të tenisit Australian Open.
Më 15 janar 2024, portali “Sport Klub” publikoi tekstin me titull: “(FOTO) E turpshme: Australia Open nuk e njeh Maqedoninë?” duke sugjeruar se turneu i tenisit nuk e njeh Maqedoninë, sepse “organizatorët kanë vendosur një rregull për të ndaluar një seri flamujsh”, dhe se “në këtë listë është gjetur edhe flamuri kombëtar i Maqedonisë”.
Përndryshe, e gjithë fama në mediat maqedonase pasoi pas botimit të medias australiane SBS në gjuhën maqedonase me titullin: “FLAMURI MAQEDONAS NË “LISTEN E ZEZË” NË AUSTRALIA OPEN?”.
Mirëpo, në kumtesën e MPJ-së, të cilën e transmetuan më shumë media, theksohet se “Sipas organizatorit, në përputhje me rregullat në fuqi, në tribuna gjatë ndeshjeve lejohet vetëm valëvitja e flamujve të pjesëmarrësve të turneut.”
Edhe drejtori i Australian Open, para fillimit të turneut ka theksuar se në fushën kryesore do të lejohen të valojnë vetëm flamujt e garuesve.
Përveç kësaj, në uebfaqen e “Australian Open” shihet se flamuri shtetëror është pjesë përbërëse e profilit të tenistes Lina Gjorçeska nga Maqedonia e Veriut. Edhe në videon zyrtare të ndeshjes së saj, shihet se ajo në turne është përfaqësuar me flamurin kombëtar dhe shkurtesën “MKD”.
Prandaj, pretendimet se “Australian Open” nuk e njeh Maqedoninë dhe se flamuri kombëtar është ndaluar në turneun e tenisit, mund të vlerësohen si të pabaza dhe si manipulime mediatike.